English

KQZ vendos sot për fatin e fletëve të votimit të 8 majit

Tiranë, 26 shtator 2011, NOA – Kur do të digjen fletët e votimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit? Këtë do ta vendosë sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mbledhjen e paradites që është lajmëruar të nisë në orën 10.30-11.00, KQZ do të marrë në shqyrtim projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08 Maj 2011”. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ e kanë cilësuar vendimin për asgjësimin e materialeve zgjedhore të 8 majit si të parakohshëm. Kjo për faktin se katër anëtarët e mazhorancës në KQZ, Kryetari i KQZ-së Arben Ristani, dhe anëtarët Klement Zguri, Hysen Osmani dhe Vera Shtjefni janë kallëzuar penalisht në Prokurori për vendimet e marra, sipas saj, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kjo çështje mbetet e debatuar për socialistët edhe për shkak se fletët e votimit të zgjedhjeve të kontestuara parlamentare të vitit 2009, u asgjësuan pak përpara zgjedhjeve vendore të 8 majit, pra në gati dy vjet nga zgjedhjet. Përtej kundërshtive të opozitës që kërkonte hapjen e kutive, KQZ vendosi djegien e tyre dhe boshatisjen e kutive në pritje të zgjedhjeve vendore. Por, duket se fletët e votimit të zgjedhjeve të 8 majit, edhe këto zgjedhje tejet të kontestuara nga PS sa i përket garës në Tiranë duket se do ta kenë jetën shumë të shkurtër. Pas shqyrtimit nga anëtarët e KQZ-së, projektvendimi do të duhet të miratohet, dhe për këtë do të mjaftojnë qoftë edhe vetëm katër votat e anëtarëve të mazhorancës në komision. Procesi i asgjësimit të fletëve të votimit të 8 majit pritet të përfundojë brenda dy muajve të ardhshëm dhe do të kërkojë një fond prej afro 1 milion e 800 mijë lekë, që do të shërbejnë për blerjen e lëndës djegëse si dhe shpërblimin e punonjësve që do të ngarkohen me këtë proces. mit/NOA

KOMENTE