English

Krim në familje, vret të fejuarën e më pas veten

Rrogozhinë, 26 shtator 2011, NOA – Krimi brenda familjes ka ngritur krye sërish duke shënuar vdekjen e dyfishtë të dy të rinjve të fejuar. Shkak edhe këtë herë është bërë një grindje e çastit mes çiftit të ri për arsye ende të panjohura, një konflikt që degjeneroi në krim. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në familjen e njërës prej viktimave në Rrogozhinë. Ishte 27-vjeçari nga Durrësi, Kreshnik Avdul Selmani, i cili pas një konflikti të çastit me të fejuarën e tij në shtëpinë e saj qëlloi me armë mbi 22-vjeçaren Marsida Xhemal Hoxha duke e lënë të vdekur në vend. I tronditur nga vrasja e të dashurës së zemrës, edhe vetë autori ka vendosur t’i japë fund jetës me të njëjtën armë zjarri. Policia e Kavajës pasi pa nga afër dy trupat e pajetë ka nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të këtij krimi të rëndë që i mori jetën dy të rinjve. Në pyetje po merren familjarët e dy viktimave dhe persona që mund të zbardhin arsyet e krimit, apo të konfliktit mes çiftit. mit/NOA

KOMENTE