Prishtinë, 26 shtator 2011, NOA- Hajredin Kuçi, zvendëskryeministri i Kosovës, duke përfituar nga ceremonia e licencimit të 87 ndërmjetësve të parë, ka deklaruar se nga ana e Qeverisë së Kosovës do të ketë gatishmëri maksimale për jetesën normale dhe pa probleme në veri. “Ne do të punojmë me intensitet të plotë që të kemi mirëkuptimin qytetar atje, për qytetarët tanë serbë, por gjithsesi dua ta them një fjali, durimit tonë do t’i vijë fundi edhe në këtë drejtim”, u shpreh Kuçi duke shtuar se në veri do të zhbllokohen rrugët dhe këtë pjesë të territorit të Kosovës do të vendoset normaliteti. Ndërsa lidhur me raundin e radhës së bisedimeve me Beogradin ai u shpreh se dialogu nuk i bën keq askujt, meqenëse është koha e demokracisë dhe e dialogut, por gjithnjë ky dialog, sipas tij, do të jetë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, temat për raundin e radhës së bisedimeve me Beogradin tanimë janë të përcaktuara që do të diskutohen, po ashtu janë të përcaktuara temat që nuk mund të diskutohen asnjëherë, dhe pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe rregullimit të brendshëm juridik të Kosovës. a.y/NOA
Në foto: Hajredin Kuçi, zvendëskryeministri i Kosovës