English

Maqedoni, SHBA nuk sheh zgjidhjen e shpejtë të emrit

E hënë, 26 shtator 2011, NOA- Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Pol Volers nuk beson në zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit. Ai tha se nuk beson se kjo do të ndodhë, edhe përkundër takimeve intensive dhe tentimit për përtëritjen e negociatave në Nju Jork. Volers shtoi se ky problem nuk zgjidhet me takime publike, por me përparime nëpërmjet bisedimeve të fshehta prapa dyerve të mbyllura. "Nuk besoj se zgjidhja do të ndodhë shpejt. Kjo është diçka për të cilën duhet të punohet. Ai shpalosi qëndrimin e tij. Por, e tërë ajo që ndodhë lidhur me kontestin e emrit nuk bëhet përmes deklaratave publike, por përmes shumë situatave private", theksoi ambasadori amerikan, duke shtuar se do të vazhdojnë të punojnë rreth kësaj çështje dhe se do të jap ndihmën e tyre. Ambasadori amerikan sot qëndrimet mbi procesin e emrit i kërkoi edhe nga dy liderët e partive opozitare, Branko Cervenkovskit të LSDM dhe Menduh Thaçit të PDSH-së. Ai ka zhvilluar takime të ndara me dy liderët e partive opozitare. Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi se PDSH nuk është problem, por do të marrë pjesë në zgjidhjen e problemit. "Sjellja jonë politike do të jetë në drejtim të ndihmës dhe pjesëmarrjes për zgjidhjen e kontestit. Duhet patjetër të bëhet diçka për tu zhbllokuar eurointegrimet", theksoi Menduh Thaçi. Nga ana tjetër, kreu i LSDM ka shprehur gatishmërinë duke garantuar se do të jap kontribut maksimal në raport me proceset eurointegruese. Në komunikatën e LSDM theksohet se Cervenkovski para ambasadorit Volers ka shprehur shqetësime për administratën, gjyqësorin dhe mediat. (INA)/ NOA

KOMENTE