Reportazh – Në familjen e Xhenit, vajzës që nuk e shijoi dot jetën në emigracion, dy vjet pas mbërritjes. Rrëfehen Leonardi dhe Armando, dy ndër të afërmit, flasin për letrën që la Xheni dhe dyshimet e tyre Athinë, 26 Shtator 2011 NOA - I vetmi problem që e mundonte atë, ishte shkolla. Vogëlushja erdhi në Greqi kur sapo i kishte mbushur njëmbëdhjetë vjeç. Me të mbërritur u fut në shkollën fillore në klasën e pestë. Por nuk mundi të ecte me mësimet dhe u detyrua ta lërë shkollën. Jo sepse nuk donte të mësonte, por sepse nuk e linin. Gjatë gjithë kohës, përballej me tallje dhe ngacmime nga shokët e shoqet e klasës, djem e vajza greke. Kjo gjendje ishte bërë aq lënduese sa vajza nuk duroi dot më dhe iu lut prindërve që të mos e çonin më në shkollë. “Kjo gjendje po e lëndonte shumë, po e mërziste. Ndoshta ajo që ndodhi, nuk do të kishte ngjarë nëse nga mësuesit në shkollë nuk do të kishte indiferencë kaq të madhe ndaj asaj situate që i krijohej të voglës”, - shprehet Leonardi, një mik i ngushtë i familjes së vajzës. *** Në dhomën e rregulluar bukur dhe sistemuar këndshëm, të vajzës së vogël, në një shtëpi në Kaminia, gjenden dy shtretër, njëri i Xhenit, 13-vjeçare dhe tjetri i vëllait të saj të vogël. Muret e dhomës janë të mbushur me foto dhe postera e piktura që rëndom adoleshentët “vdesin’ t’i vënë në dhomat e tyre. Nuk mungon as i famshmi Batman me çuditë e tij. E sigurisht një duzinë arushash me të cilët luante e vogla dhe vëllai i saj. Xheni, e cila të premten i vuri zjarrin vetes në një gjendje të trishtë që e kishte përfshirë prej ditësh, është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Fëmijëve në Athinë, në gjendje kritike për jetën. Gjithçka nisi paraditen e së premtes që shkoi në banesën e familjes shqiptare në rrugën “Kalikratidhos” në lagjen Kaminia, ardhur prej 12 vitesh nga Vlora. Të afërm e miq të familjes shkuan tek prindërit e vogëlushes që u vetëdogj. Njëri prej tyre, Leonardi, tregon se familja e Xhenit erdhi 12 vjet më parë nga qyteti i Vlorës, për një jetë më të mirë në Greqi. Vitet e para dy prindërit qëndruan pa fëmijët e tyre, duke i lënë te gjyshërit në Vlorë. Ata morën një shtëpi me qera dhe bënë ç’është e mundur që të rregullojnë kushte sa më të mira për fëmijët që me aq dëshirë dhe mall po prisnin t’i tërhiqnin. Dy vjet më parë, Xheni dhe vëllai i saj i vogël erdhën dhe iu bashkuan prindërve të tyre. Leonardi tregon duke cituar nënën, se atë ditë, e vogla Xheni plot mllef ndaj vetes, i klithte të ëmës se do të vriste veten. Duke i thënë shumë herë se nuk donte të jetonte më. “Dinte greqisht, pak, aq sa për t’u marrë vesh. Por e kishte të vështirë të lexonte dhe të shkruante greqisht”, - pohon Leonardi. “Me vajzën time ishin shoqe të ngushta shkolle. Por Xheni shpesh i thoshte se nuk donte të qëndronte më në shkollë. Shokët dhe shoqet e klasës e tallnin shumë dhe kjo gjendje e mërziste shumë”, - kujton Leonardi dhe shton: “Kështu mbeti pas në mësime”. “Ajo që ndodhi ishte diçka që askush nuk mund të ruhej, sepse askujt nuk i shkonte ndërmend se mund ta bënte”, pohon Armandi, një tjetër i afërm i Xhenit. Kurse thekson: “Ne do të kërkojmë me sa të mundemi që të mësojmë të vërtetë. Nuk mundet një fëmijë të marrë vendim të tillë, kaq të ashpër kaq martir dhe kaq të dhunshëm për t’i dhënë fund jetës. Nuk mendoj se kishte arsye ta bënte. Akoma edhe për problemet që kishte pasur në shkollë, nuk e justifikojnë një reagim të tillë. Mendoj se të tjera probleme kishte”. “E gjithë skena e asaj dite, është e paqartë”, - pohon Leonardi. “Sjellja e fëmijës nuk ishte e tillë që të linte të kuptohej se do të bënte diçka të tillë. Pak minuta më përpara kishte dalë nga shtëpia gjyshi i saj për të bërë pazar te dyqani i lagjes. I kishte thënë madje gjyshit se do të bënte tost që të hanin kur të kthehej. “Sa për letrën që kishte lënë, unë që e lexova, nuk gjeta një shpjegim për atë që bëri. Ishte si një ditar që tregonte duke shkruar, se si kalonte ditët e saj. Shkruante diku se i ati i kishte bërtitur pse nuk kishte bërë punët e shtëpisë. Sigurisht, nuk është as ky, një motiv për atë që ngjau”. *** Burime në spitalin e Fëmijëve “Agjia Sofia” qe shihni ne foto, ku u transportua e vogla pasi u shtrua fillimisht tek spitali i Fëmijëve të Nikeas, i thanë agjencisë NOA se Xheni ka pësuar djegie në 80 për qind të trupit të saj. Kjo është dhe shkalla më e lartë e djegies, shkallë që lë pak shanse mbijetese. Gjithsesi mjekët e kirurgjisë plastike në repartin e Djegieve të këtij spitali thanë se po bëjnë gjithë ç’është e mundur që të shpëtohet jeta e saj. e.t/NOA