English

Vijon greva e urisë, minatorët kërkojnë ruajtjen e godinës së ngujimit

Bulqizë, 26 shtator 2011, NOA – Dhjetë minatorët e Bulqizës kanë hyrë në ditën e tetë të grevës së dytë të urisë dhe gjendja e tyre shëndetësore vijon të përkeqësohet, ndërsa zgjidhja e situatës ka mbetur peng i ecejakeve. Në këto kushte minatorët i kanë dërguar policisë së Bulqizës një kërkesë, ku i kërkojnë lejen për një tubim në qytet dhe bllokimin për dy orë të rrugës kryesore Tiranë-Peshkopi, në përpjekje për t’i dhënë zë kërkesave të tyre. Madje ata duket se janë të vendosur ta vijojnë grevën duke i kërkuar policisë të mbikqyrë godinën e marrë me qera për këtë grevë, dhe të verifikojë seriozitetin e protestës. Të dhjetë grevistët kanë mbetur peng i grevës së urisë për shkak të mosplotësimit të një kërkese nga ana e kompanisë ACR, atë të largimit të drejtorit të minierës së kromit, Mehdad Zogu. Kjo mbetet e vetmja kërkesë për të cilën ACR nuk dha pëlqimin e saj, pas plotësimit të kërkesave për rritjen e pagës me 20 përqind, dhënien e pagës së 13-të, pagesën e një muaji greve si dhe nisjen e investimeve në minierë. Në përpjekje për t’i dhënë fund kësaj situate të tejzgjatur greve dhe proteste mësohet se kanë mbërritur në Tiranë pronarët e kompanisë austriake ACR, të cilët pritet të takohen me minatorët në dy ditët e ardhshme. Nuk dihet ende nëse do të arrihet marrëveshja e shumëpritur që do t’i jepte fund protestës ekstreme të minatorëve të kromit duke i dhënë zgjidhje më në fund të gjitha kërkesave të tyre. mit/NOA

KOMENTE
  • LA'OMBRA ALBANIA 11:03 - 26 Shtator 2011
    cfar jan keto matrapaslleqe qe behen me jeten e patrioteve tan shqipetar ...nuk eshte e drejt te sillen keshtu me kerkesat e minatorve mos te harojm ate qe ndodhi ne KILI me minatoret jo vetem SHTETI por e gjith audienca BOTERORE ju dha ndimen e kerkuar , jepini funde dhimbjes edhe kerkesave te MINATORVE SHQIPETAR jan vellezerit tane e jo ALIEN ..........FUCKY SYSTEM FUCKY POLITICAN