Ambasadori i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, (OSBE), Eugen Wollfarth, pohon se ai mbështet opozitën, duke folur mbi çështjen e ndryshimit të rregullores parlamentare kërkuar nga Edi Rama. Në një intervistë që i dha tv Top Channel ditën e sotme, z.Wollfarth tha se rregullorja duhet të jetë konsensuale dhe bëri thirrje që të pranohet nga mazhoranca propozimi i PS për ta ndryshuar këtë rregullore Më poshtë ndiqni intervistën e plotë të zbardhur:
Si do ta komentonit situatën politike aktuale në Shqipëri pas kthimit të opozitës në Parlament?
Kthimi në Parlament ishte një hap vendimtar dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, por sigurisht historia nuk mbaron vetëm me të qenit atje. Është vetëm fillimi. Çështja është se duhet të zhvillohen diskutime konstruktive dhe të ekzistojë dëshira për t'u përfshirë në një dialog, për ta çuar vendin përpara e për të krijuar atmosferën e nevojshme për hapa konsensualë, që janë qartësisht të nevojshëm për axhendën e reformave, duke përfshirë këtu edhe integrimin evropian. Pra, kthimi është vërtet thelbësor, por nuk duhet të jetë vetëm një kthim fizik, duhet të jetë edhe kthim në përmbajtje, kombinuar me vullnetin për të dhënë rezultat. Më duket një fillim shumë, shumë inkurajues. Ishte një fillim i mbarë dhe ajo çka duhet është edhe një ton i mirë komunikimi, jo gjuhë e ashpër, por një gjuhë e orientuar nga puna, nga përmbajtja. Përsëris, shoh shumë shenja inkurajuese në këtë drejtim, gjë që është shumë e rëndësishme.
Opozita ka bërë publike disa propozime për disa ndryshime në Rregulloren e Parlamentit, duke kërkuar që Rregullorja të jetë njësoj si në vitin 2005. A mendoni se këto kërkesa duhen zbatuar, pra a mendoni se opozita ka të drejtë?
Një parlament duhet të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe sigurisht që Rregullorja është e një rëndësie kyçe në këtë aspekt. Siç thashë edhe më herët, është çështje vullneti dhe pasja e një rregulloreje që siguron kushte të barabarta për qeverinë nga njëra anë dhe për opozitën nga ana tjetër përbën një ndër parakushtet për të pasur mundësinë për të punuar siç duhet në parlament. Në shumë vende, për të mos thënë në të gjitha vendet, në të gjitha parlamentet apo Kuvendet, në Bundestagun gjerman, apo në Parlamentin Evropian, rregulloret zakonisht janë konsensuale. Në Shqipëri, mendoj se ka ardhur koha për t'iu rikthyer një rregulloreje konsensuale, por sigurisht që duhet sqaruar nëse është më mirë të fillohet nga Rregullorja e vjetër e 2005-ës, apo nëse duhen shtuar elemente të tjera. Sidoqoftë, Rregullorja është sigurisht thelbësore.
A do të ishte e drejtë të themi se ju i mbështesni propozimet e opozitës?
Me siguri nuk është e gabuar. Siç thashë, duhet të jetë konsensuale. Është një propozim i rëndësishëm, ka funksionuar në të kaluarën dhe ia vlen të provohet, qoftë duke filluar nga rregullorja e 2005-ës, nëse palët do të binin dakord, nëse është konsensuale, ky do të përbënte një fillim të mirë, por u takon sigurisht partnerëve, dhe qëllimisht them 'partnerëve', të të dyja krahëve.
Si i shihni 10 propozimet e bëra nga zoti Rama me titullin Pakti Kombëtar i Integrimit?
Është një titull interesant dhe përfshin propozime sigurisht shumë të dobishme. Ndoshta mund të mos kufizohet vetëm në dhjetë, pasi ka ende punë për t'u bërë, por dy elemente janë patjetër të rëndësishëm. Njëri ka të bëjë me Rregulloren e Parlamentit, kurse tjetri, të cilin e kemi parë tashmë se sa i rëndësishëm është këtë vit, është pikërisht Kodi Zgjedhor. Pra, qoftë edhe në këto dy elemente, duket qartë se ka përmbajtje në këto propozime, por kuptohet që gjithçka duhet diskutuar mes partnerësh brenda partive, por edhe midis vetë partive, dhe vendi më i mirë për këtë është sigurisht Parlamenti, dhe aty sigurisht që Rregullorja ka rëndësi kyçe për t'iu kthyer një sjelljeje vërtet evropiane dhe demokratike. Kjo besoj se mund të çojë vetëm në sukses, gjithmonë nëse ekziston vullneti politik për ta çuar kombin përpara.
Ju theksuat dy nga dhjetë propozimet e zotit Rama. Cili do të qe komenti juaj për tetë çështjet e tjera që zoti Rama ka përfshirë në këtë Pakt Kombëtar?
Asnjë nga pikat nuk është e parëndësishme. Siç e thashë, mund të kishte edhe çështje të tjera, por u takon palëve të identifikojnë se çfarë duhet trajtuar. Në to ka çështje ekonomike, dhe sigurisht edhe çështje politike. Është një fillim i mirë dhe përmbajtësor.
A i shihni 10 propozimet si një shans i artë për Qeverinë që të bjerë dakord dhe që kjo të çojë më pas në një normalizim të jetës politike, sidomos sa i përket mirëfunksionimit të institucioneve?
Siç thashë, është një fillim i mirë dhe nuk ka pse të kufizohet. Kjo është një mundësi për të hyrë në një dialog të orientuar drejt përmbajtjes dhe po të flasim për hapat që duhen ndërmarrë sa i përket ligjbërjes, sa i përket krijimit të një klime politike të mirëkuptimit reciprok. Është gjithashtu mirë edhe për klimën e investimeve në vend. Klima politike ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në këtë atmosferë, dhe si hap tjetër, edhe për të ndihmuar për një funksionim më të mirë të institucioneve me një sundim më të fortë të së drejtës, respektim më të mirë të ligjit... nuk dua të përdor shumë në këtë kontekst fjalën 'pagesa shtesë' apo 'korrupsion', por kjo sigurisht që shkon paralel me një punë më të mirë dita-ditës, me krijimin e një klime më të mirë, si dhe duke e bërë parlamentin – dhe nuk duhet ta harrojmë këtë – duke e bërë parlamentin edhe më të aftë për të pasur kontrolle dhe garanci (checks and balances) më të mira, së bashku me qeverinë dhe me opozitën, për të mbikëqyrur institucionet, për të pasur seanca pyetje-përgjigjesh për të parë se si ato punojnë, për të parë veçanërisht nëse ato janë transparente sidomos ndaj publikut, përmes medias, që ai të mësojë se çfarë ndodh, dhe të shohë se si respektohen rregullat. Shqipëria është sigurisht një nga vendet ku korrupsioni është i paligjshëm.
Në qarqet politike po zhvillohen diskutime rreth mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Duket sikur janë në rritje zërat për një president të zgjedhur nga populli. A mendoni se presidenti duhet të zgjidhet nga populli?
Kjo varet nga Kushtetuta. Aktualisht, kushtetuta e Shqipërisë parashikon votim në Kuvend. Nëse më lejohet të bëj një koment për kushtetutën, mendoj që si kushtetuta, ashtu edhe dispozita, janë shumë të mira. Nuk është e thënë që të mbetet siç është përjetësisht. Mund të diskutohet – dhe një vend i mirë për diskutime është kuvendi – mund të diskutohet edhe në shoqërinë civile, por ajo do të doja të theksoja është se kur ndryshohen procedurat e votimit, atëherë mund të jetë e nevojshme edhe një fushatë shtesë dhe këto zgjedhje shtesë mund ta drejtojnë vëmendjen më shumë te zgjedhjet, e më pak tek axhenda e reformave. Për këtë arsye, do të sugjeroja kujdes dhe bërjen e këtij ndryshimi në kohën e përshtatshme, kur Shqipëria të ketë bërë më shumë përparim drejt integrimit evropian. Në shumë vende fqinje presidenti zgjidhet nga populli, pra duket se është një procedurë mjaft e natyrshme në rajon. Diskutimi i këtij opsioni është padyshim me vlerë, por meqë kushtetuta për presidentin e ardhshëm përcakton që duhet të zgjidhet nga Kuvendi, kjo dispozitë duhet të zbatohet vitin e ardhshëm dhe pastaj, më tutje, mund të merret në konsideratë një reformë e mëtejshme.