English

Berisha ngushëllon familjen: Vasillaqi na dhuroi buzëqeshje në kohë të vështira

Tiranë, 27 shtator 2011, NOA – Një ditë pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Vasillaq Vangjeli, kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së aktorit që i dhuroi shumë e shumë të qeshura publikut shqiptar me rolet e tij të spikatura dhe popullore. Në mesazhin e tij kryeministri shkruan se sot është një ditë trishtimi për familjen që humbi njeriun e dashur, por edhe për botën artistike që humbi njeriun që ia dedikoi jetën skenës së teatrit të estradës dhe komedisë. “Vasillaqi, me talentin e tij, u shndërrua në një nga aktorët më të dashur të komedisë për shqiptarët, i cili u dha buzëqeshjen edhe në kohëra të vështira për ta. Në kujtesën e publikut shqiptar do të mbetet i paharruar personazhi shumë i dashur për të tek “Zonja nga Qyteti” dhe loja e tij e shkëlqyer autoriale”, vlerësoi kryeministri. Shefi i qeverisë i dërgoi ngushëllime të sinqerta familjarëve të aktorit të njohur në këto çaste dhimbjeje. Aktori Vasillaq Vangjeli do të kujtohet për dhjetëra role të luajtura në skenën e Teatrit, Estradës dhe kinematografi e filma televizivë. Të paharruara do të mbeten për publikun rolet e tij sa komikë e groteskë si ai i “Koçit” tek filmi “Zonja nga Qyteti” apo dhe ai i “Sillos” që personifikon Enver Hoxhën në telefilmin “Gjuetia e fundit”, në të cilin me protagonizmin e tij përcolli me dramaticitet dhe grotesk diktatorin shqiptar. Vasillaq Vangjeli ndërroi jetë mbrëmjen e të hënës në moshën 64-vjeçe pas një ataku kardiak. mit/NOA

KOMENTE