Tiranë, 27 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë. Rrjeti i Programit të Integruar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri përbëhet nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë në QSUT, në Tiranë dhe prej disa Qendrave Rajonale të Telemjekësisë, në spitalet rajonale të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës etj, ku një pacient nga secili nga spitalet e lartpërmendura mund të konsultohet në distancë nga një mjek konsulent në QSUT. Sipas tij projekti "Shëndetësia dixhitale” synon të përmirësojë ndjeshëm sistemin shëndetor dhe të vendosë mbi baza të reja menaxhimin e këtij sistemi. “Historia e suksesit është e lidhur me atë të menaxhimit”, ka theksuar Berisha, ndërsa ka shtuar se Telemjekësia hap një kapitull të ri në diagnostikimin, formimin dhe komunikimin e tërë sitemit tonë shëndetësor.
Sipas Berishës, falë kësaj teknologjie e gjithë bota është në funksion të një të sëmuri dhe ky është shans i jashtëzakonshëm për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimi e dijes në fushën mjekësore. “Ai do lidhë Korçën sot me kryeqendrën botërore të mjekësisë, do lidhë Kukësin me Baltimorën, do bëjë që të sëmurët të mund të kenë mendimin më të kualifikuar të kohës. Aspekti tjetër është ndikimi i jashtëzakonshëm që Telemjekësia do të ketë në formimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë, sepse nuk ka energji më të fuqishme, sesa gara dhe secili nga mjekët, në komunikimin e diskutimin me kolegun e tij, do të jetë ndaj vetes shumë herë më kërkues. Sistemi nuk të vë vetëm para një sfide, por me librarinë elektronike të krijon mundësi të pakufizuara, të jashtëzakonshme për kualifikimin e përditshëm e më të madh”, shtoi ai. Kryeministri falenderoi USAID-in dhe SHBA për dhuratën e shkëlqyer për shqiptarët dhe pjesën më në nevojë të tyre, të të sëmurëve. Kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë vizituan gjithashtu edhe Bibliotekën Elektronike, ku mblidhen dhe ruhen materiale mjekësore në formë elektronike, ndryshe nga metoda klasike e deritanishme. a.q/NOA