English

Ndahet nga jeta aktori i humorit Vasillaq Vangjeli

Tiranë, 27 Shtator 2011 NOA – Ndahet nga jeta aktori i njohur i humorit shqiptar, Vasillaq Vangjeli. Mjeshtri i humorit që ende nuk i kishte mbushur 64 vjeç, mësohet se ka ndërruar jetë mbrëmjen e së hënës në orën 23.00 në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Vangjeli kishte pësuar atak kardiak që i kishte rënduar gjendjen shëndetësore me pasojë vdekjen e parakohshme. Aktori Vasillaq Vangjeli është i njohur më së shumti në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës dhe atë kombëtare, ku ka interpretuar disa dhjetëra role. Po ashtu ai spikati edhe në kinematografi dhe në disa telefilma. Vasillaq Vangjeli interpretoi me mjeshtëri dhe doza të forta humori, edhe personazhe si “Sillo” - Enver Hoxha, në filmin Gjuetia e Fundit që ju gjeni në fund të këtij raporti. Por më i njohur për publikun është padyshim roli i Koçit tek filmi “Zonja nga qyteti”. Intervista për 60-vjetorin e lindjes, shkurt 2009: Vangjeli: Aksidentalisht kalova në komedi Sa herë që flasim për Estradën e Tiranës, menjëherë na bien ndërmend emra të shquar të humorit, të cilët në vite kanë krijuar profilin e tyre, të cilin e kanë identifikuar me atë ët institucionit ku punuan e krijuan për dekada të tëra. Mes këtyre emrave të shquar, është edhe aktori Vasillaq Vangjeli. Ai erdhi në artin e aktrimit në mesin e viteve 70-të dhe për mbi tre dekada krijoi role e figura nga më të arrirat e më të bukurat e humorit dhe filmit tonë. I lindur në Fier, 60 vjet më parë, më 19 shkurt 1948, nga një familje me origjinë nga Përmeti. I rritur në Tiranë, Vasillaqi që në fëmijëri u lidh me filmin dhe teatrin, duke qenë mjaft i pasionuar pas tyre, pasi shquhej edhe për humorin e gëzimin që sillte në shoqëri. “Kam qenë djalë çapkën dhe karagjoz i lindur, siç më thoshin. Imitoja pleq, kalamaj. Shkoja që i vogël pothuajse çdo natë në estradë dhe imitoja “Artistin e Popullit” Skënder Sallaku. Apo më pëlqente të flisja në dialekte të ndryshme. Dhe në këtë këndvështrim isha kripa e gjithë lagjes, kripa e gjithë shkollës. Më nxirrnin nga shkolla tri herë në ditë për karagjozllëqet që bëja. Pedagogët, mësuesit më deshën shumë, por kur bëja karagjozllëqe më nxirrnin jashtë se qeshte e gjithë klasa”. Në vitet 1972-1975 ai ishte student në studion për aktorë në Institutin e Lartë të Arteve. “Im atë nuk donte që të bëhesha aktor. Më futi në Politeknikumin Mjekësor ku mbarova ndihmësmjek. Që aty më futi në Fakultetin e Mjekësisë ku bëra dy vjet. Unë prapë vazhdoja “karagjozllëqet” dhe në vit të tretë e lashë shkollën e Mjekësisë dhe hyra në Institutin e Lartë të Arteve. Mbarova dhe ushtrinë në 1971 dhe hyra në Institutin e Arteve (vitet ’73-’75)”. Që nga maji i vitit 1975, kur u emërua aktor në teatrin e Varietesë së Tiranës, Vasillaq Vangjeli deri në vitet 2000 ka realizuar me qindra role, skeçe, humor e filma. “Pas përfundimit të tij më çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor më kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti ’76 deri më 1 prill 2005 kam qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohesha që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti ’67-’68 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu. Roli im i parë në Teatrin Popullor ka qenë roli i një shoferi te drama “Lezia”, një dramë e Kiço Blushit me regji të Piro Manit. Pastaj erdhën role të tjerë: roli i Koçit te “Zonja nga qyteti” dhe disa role në teatër. Që atje, mbarova vitin e stazhit në teatër dhe kalova regjisor në Estradën e Shtetit ku punova deri në 2005.” Në morinë e madhe të roleve mund të përmendin: komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Tre ditët e qametit” të L. Qafezezit, “Mimoza pyeti zemrën”, telekomedi nga T.Miloti, “Tre dhëndurët “ e D. Bubanit, “Mirela” nga L. Bungo, “Një burrë me dy gra” nga R. Kunei, “Divorci” nga Sh. Mita, “Lezeti i kolltukut dhe i krevatit” nga M. Pertgui, komedinë “Gjashtë vjet shtatzënë” dhe së fundi në këtë gjashtëdhjetëvjetor ai do të ngjitet përsëri në skenë me një rol në komedinë e regjisorit Ervin Çuli. “Unë isha më shumë aktor i dramës, sesa i komedisë. Aksidentalisht kalova në komedi. Më ka pëlqyer tërë jetën drama dhe tërë jetën e kam parë veten mes teatrit dhe komedisë. Më kujtohet një mbledhje e posaçme që është bërë në Teatrin Popullor, ku është ngritur gjithë kolektivi i teatrit dhe ka thënë këtë gjë. Madje, Gjon Karma ndjesë pastë, ka thënë: “Unë si aktor i humorit po iki, po dal në pension. Merreni këtë djalë t’i rrijë teatrit pranë!” Megjithatë, Partia më çoi atje ku “kishte nevojë atdheu”, pa dëshirën time. Dhe kam punuar pa qejf gjatë gjithë kohës. Iknin vitet, unë kisha ndër mend të kthehesha në teatër. Më iku rinia me urdhër të Partisë së Punës. Atëherë më thanë: “Kalo regjisor në Estradën e Shtetit, nëse nuk do të shijosh bukuritë e Lurës në Peshkopi.” I thashë babait e më tha: “Bir më mirë në Tiranë.” Kështu qëndrova në Estradë.” Ka interpretuar me sukses në kinokomeditë: “Gjuetia e fundit”, “Të gjalle apo të vdekur” në rolin e Sillos, një nga kryerolet e tij, “Një ditë pa pune”, “Oreksi i madh”, “Çanta e zeze”, “Përralla e Trimit” nga Koço Devole, “Qefllinjtë” nga Agron Goga etj. Me sukses ka interpretuar edhe në flimin artistik, i preferuar nga regjisorët më të mirë si Dhimitër Anagnosti, Gëzim Erebara, Piro Milkani, etj. Në kinematografi e nisi me filmin “Toka e përgjakur”, e më pas me kryerolin e Koçit në filmin “Zonja nga Qyteti”, e me radhë në filmat në “Pylli i Lirisë”, , “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, “Yjet mbi Drin”, “Ëndërr për një karrige”, “Dasma e shtyrë”, “Ne vinin nga lufta “, “Rrethimi i vogël”, etj. Aktori i mirënjohur i humorit Vaso Vangjeli është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.

KOMENTE