Mitrovicë, 27 shtator 2011, NOA – Tensionohet rishtas situata në një prej vendkalimeve kufitare të veriut të Kosovës, në Jarinjë ku sot pas mesditës një serb ka shtënë me armë zjarri në drejtim të ushtarëve të KFOR-it. Shkrehja e armëve është dëgjuar rreth orës 13.10 minuta të së martës bëri me dije zëdhënësi i forcave paqeruajtëse Kai Gudenoge, për Radion Evropa e Lirë. “Pati të shtëna nga armë të vogla zjarri, që erdhën nga serbët e mbledhur pranë portës 1”, tha Gudenoge. Ai informoi se të shtënat nuk lënduan asnjë ushtar të KFOR-it, ndërkohë që ende nuk është identifikuar autori. KFOR-i nisi hetimet për ngjarjen dhe vuri në arrest pesë serbë, të cilët po procedohen tashmë nga prokuroria e EULEX-it, por në gjendje të lirë. Pesë të arrestuarit serbë kishin kundërshtuar ushtarët e KFOR-it, që po kryenin një aksion për zhbllokimin nga barrikadat të pikës kufitare të Jarinjës. Sipas zyrtarit të KFOR-it Ralf Adametz, të pesë serbët u arrestuan për agresion në Jarinë, por më pas ata u liruan dhe po hetohen në gjendje të lirë. Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadave nisi pasi serbët lokalë në kundërshtim të hapur me marrëveshjen për doganat të hyrë në fuqi në 16 shtator kishin ngritur mëngjesin e sotëm një tjetër barrikadë në këtë portë me Serbinë. Në këtë suazë KFOR-i u bëri thirrje serbëve lokalë të mos tentojnë të vendosin barrikada, duke i paralajmëruar ata se në rast të afrimit tek telat me gjemba të vendosur në kufi, do të arrestohen. Ndërkohë disa nga banorët serbë që kishin kaluar natën në barrikadën në Jarinë thanë se ushtarët e KFOR-it ishin sjellë brutalisht me ta duke hedhur edhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës, ndërsa meshkujt i kishin lidhur me litar. Sipas tyre njëri prej serbëve është lënduar dhe dërguar më pas për mjekime në spitalin e Rashkës. mit/NOA