English

Topi nderon Vangjelin: Artisti me diapazon të admirueshëm

Tiranë, 27 shtator 2011, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi sot me respekt figurën e aktorit të mirënjohur shqiptar, Vasillaq Vangjeli, i cili u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në ambientet e Teatrit të Metropolit në kryeqytet, Kreu i Shtetit, pasi vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të pajetë të aktorit, u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe artistëve të pranishëm. Duke vlerësuar veprën artistike të aktorit të spikatur të humorit dhe të parodistit të talentuar të skenës së Teatrit të Estradës së Tiranës dhe të kinematografisë, Vasillaq Vangjeli, Presidenti Topi theksoi se "sot i jepet lamtumira e fundit njërit prej artistëve më me emër të skenës dhe ekranit shqiptar, Vasillaq Vangjelit, një artisti me intuitë të hollë dhe me një diapazon të admirueshëm, një aktori që i takonte sa pjesës së humorit, por edhe dramës". Presidenti Topi tha se, "Vasillaq Vangjeli, me karakterin e tij, me aftësinë për të depërtuar thellë në ndërtimin e roleve ai bëri për vete zemrat e shumë shqiptarëve. Padyshim që kështu do të mbetet edhe në kujtesën e shoqërisë shqiptare si një njeri me ndjesi dhe një botë shumë të ndjeshme, një njeri komunikues në ambientet me kolegët, por edhe me shoqërinë si dhe një artist me vlera të rralla". a.q/NOA

KOMENTE