English

Veriu i Kosovës, rritet tensioni dhe bilanci i të plagosurve

Mitrovicë, 27 shtator 2011, NOA Update – Tensionohet edhe më tej situata në veri të Kosovës gjatë përplasjes me armë në kufirin e Jarinës mes ekstremistëve serbë dhe forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Bilanci i serbëve të plagosur ka shkuar në 17 persona, shtatë prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe katër ushtarë të KFOR-it, njëri prej tyre rëndë. Zëdhënësi i KFOR-it Kai Gudenoge deklaroi se situata është përkeqësuar, duke informuar se njëri prej ushtarëve të KFOR-it është në gjendje të rëndë dhe do të evakuohet. Burime për Kosovapress bëjnë me dije se forcat e KFOR-it po kundërpërgjigjen me armë për vetëmbrojtje pasi ekstremistët serbë hapën zjarr ndaj ushtarëve në pikën kufitare në Jarinje, ndërsa i kanë vënë zjarrin edhe dy makinave. “Serbët gjuajtën me gurë ushtarët gjermanë. Një ushtar u plagos dhe ushtarët u detyruan që në vetëmbrojtje të kundërpërgjigjen me plumba gome”, tha për agjencinë franceze AFP një përfaqësues i KFOR-it. Sipas mediave, KFOR-i ka vënë në pranga disa ekstremistë serbë që shfrytëzonin rrugën alternative pranë Jarinjes për të kaluar ilegalisht. Mes tyre është edhe kryetari i Mbrojtjes Territoriale në Leposaviç, Radomir Bogdanoviç. Kosovapress ka mësuar se i gjithë skenari i ngjarjeve të sotme në Jarinje është rezultat i takimit të mbajtur të dielën në Beograd mes krerëve të strukturave paralele në veri të Kosovës me Tomisllav Nikoliçin dhe njërin prej përfaqësuesve të lartë të ushtrisë serbe. Sipas këtyre burimeve, në këtë takim nuk kanë marrë pjesë kryetari paralel i komunës së Leposaviqit, Branko Niniç dhe i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç. Aktualisht situata mbetet e tensionuar dhe nën të shtënat e armëve. Forcat e KFOR-it në kufirin në Jarinje janë shtuar, ndërkohë që helikopterë të KFOR-it vëzhgojnë situatën nga ajri. Tensioni në Veri të Kosovës nisi pas aksionit të mbrëmshëm të ushtarëve të KFOR-it, të cilën nisën zhbllokimin e barrikadave serbe në portën kufitare të Jarinjes. Tensioni vjen në një kohë kur Kosova po zbaton marrëveshjen për doganat në veri, të nënshkruar në Bruksel, një marrëveshje, e cila nuk po vihet ende në zbatim nga Serbia dhe serbët lokalë të veriut, që duhet të zhbllokojnë barrikadat. Ndërkohë KFOR-i paralajmëroi ekstremistët serbë se kush i afrohet telave me gjemba në kufi do të arrestohet. mit/NOA

KOMENTE