English

Vota për Palestinën në KS, bota arabe paralajmëron Bosnjen

E martë, 27 shtator 2011, NOA – Në pritje të votimit të kërkesës për njohjen e Palestinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, bota islame i bëri thirrje Bosnjes të japë votën pro Palestinës, pasi në të kundërt rrezikohen anëtarësimi i Bosnjes në Organizatën arabe dhe ndihmat nga bota arabe. Burime brenda Organizatës së Konferencës Islamike (OKI) theksuan se Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Ihsanoglu Ekmeleddin, Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan si dhe zyrtarë të Arabisë Saudite po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të bindur Bosnjen dhe Hercegovinën të votojnë pro një rezolute në Këshillin e Sigurimit. Mësohet se krerët e organizatës arabe e kanë paralajmëruar Bosnje dhe Hercegovinën se nga vota pro apo kundër Palestinës do të varen hyrja e saj në OKI dhe ndihmat. “Anëtarësimi i saj në Organizatë dhe ndihmat e marra nga vendet arabe dhe islamike do të jenë në rrezik, në rast se ajo i dorëzohet presionit të SHBA-ve”, citohen të kenë thënë përfaqësuesit e botës arabe. Ndërkohë e përditshmja libaneze “Dita”, shkruan në një artikull se kërkesa palestineze për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara ka mbështetjen e Rusisë, Kinës, Indisë, Afrikës se Jugut, Brazilit dhe Libanit. Mësohet se presidenti nigerian Goodluck Jonathan, gjatë një takimi të Organizatës së Konferencës Islamike në Kombet e Bashkuara, e ka siguruar Presidentin palestinez Mahmoud Abbas se Nigeria do të votojë në favor të kërkesës për anëtarësim të plotë të Palestinës, ndryshe nga ajo çka deklaroi javën e kaluar Ministri Izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak, se ky vend afrikan do të abstenojë. Gjithashtu po bëhen përpjekje të veçanta për të bindur Gabonin që të votojë për anëtarësimin e plotë të Palestinës. E njohur është se ky vend afrikan ndjek Francën në vendimet ndërkombëtare brenda Këshillit të Sigurimit. Sidoqoftë thotë gazeta, interesat e Francës dhe marrëdhëniet me vendet arabe dhe islamike ndikojnë dukshëm në qëndrimet e Gabonit. Më tej nënvizohet se Portugalia nuk e ka bërë ende të qartë pozicionimin e saj në rast se kërkesa e dorëzuar të premten në OKB nga Abass do të hidhet në votë në KS, pavarësisht se ky shtet evropian është mbështetës i vjetër i çështjes palestineze. Me përjashtim të qëndrimit të qartë të Shteteve të Bashkuara që ka deklaruar prerë me gojën e Presidentit Barack Obama se ajo do të përdorë veton në KS, dhe Gjermanisë që duket se do të abstenojë, diplomatët perëndimorë janë shprehur se edhe Britania dhe Franca ka shume gjasa të abstenojnë. Vendimet e tyre nuk janë konfirmuar përfundimisht. Ndërkohë Shqipëria një mbështetëse e shtetit të Palestinës duket se është pro vendimit amerikan në mbështetje të Palestinës, por përmes diskutimeve me Izraelin dhe jo në mënyrë të njëanshme. Por, për Shqipërinë abstenimi është i kuptueshëm edhe për një fakt tejet të rëndësishëm, se disa nga vendet e botës islamike ende nuk e kanë njohur Kosovën. mit/NOA

KOMENTE