Tiranë, 28 shtator 2011, NOA - Ambasada Gjermane ka prezantuar në një konferencë për shtyp programin e aktiviteteve të Javëve Gjermane në Shqipëri, të cilat zhvillohen tashmë për herë të pestë radhazi. Gjatë konferencës për shtyp znj. Carola Müller-Holtkemper, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, tha para mediave: “Kemi vendosur që edicioni i pestë i “Tetorit Gjerman” të jetë një risi: për vitin 2011 Tetori Gjerman trajton nën leitmotivin “Klimë – Energji – Ndryshim” tema të së ardhmes sikurse janë ndryshimet klimaterike, energjitë e rinovueshme dhe eficenca e energjisë. Garantimi i një furnizimi energjetik të besueshëm, ekonomik dhe të pajtueshëm me mjedisin është një ndër sfidat më të mëdha të shek. XXI. Bashkëpunimi ekonomik gjerman, në koordinim me qeverinë shqiptare, do të përqendrohet ndër të tjera në sektorët e furnizimit me energji elektrike dhe mjedisit, përfshirë këtu ujësjellës-kanalizimet. Në fund të fjalës së saj znj. Carola Müller-Holtkemper falenderoi të gjithë sponsorët dhe partnerët, të cilët kanë dhënë kontribut në realizimin e “Tetorit Gjerman”. Menaxheri i Marrëdhënieve të Korporatës në AMC, zoti Nikos Parastatidis, tha se “AMC mbështet për të tretin vit “Tetorin Gjerman” në Shqipëri. AMC, si pjesë e grupit Deutsche Telekom, ka kënaqësinë të bëhet pjesë e këtij shkëmbimi kulturor, i cili përkrah vlerat e përbashkëta që ndajmë të gjithë. Shohim me gëzim se “Javët e kulturës gjermane” tashmë janë bërë traditë, si dhe një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar dhe kaluar çaste të bukura“. Zëdhënësi i ambasadës, zoti Harald Schindler prezantoi kalendarin dhe përmbajtjen e aktiviteteve që do përbëjnë këtë vit Tetorin Gjerman. Nga datat 3 tetor deri më 6 nëntor aktivitete të shumta do të zhvillohen në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ekspozita teknologjike “Reneëables – Made in Germany” e krijuar nga Agjensia Gjermane për Energji (DENA), e cila do të mbahet prej datës 4 tetor në sallën e Ambasadës Gjermane dhe më pas në qendrën tregtare QTU dhe në një universitet, tregon për mundësitë e vënies në përdorim të energjive të rinovueshme që prej momentit të tanishëm. REC Albania dhe Fondacioni Hanns-Seidel do të zhvillojnë disa projekte dhe konkurse me nxënës/e të shkollave të ndryshme. Tematika e këtyre aktiviteteve do të jetë eficenca energjetike dhe ndryshimet klimatike. Shoqëria gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) me ekspozitën shëtitëse “Uji është e ardhme” fton të gjithë vizitorët të zhyten, në mënyrë simbolike, në botën e ujit dhe ta njohin më nga afër këtë element unikal të natyrës. Sezonin muzikor të Tetorit Gjerman do ta çelë premiera e operas së Moxartit „Flauti magjik“ me shfaqjen e së cilës deklarohet zyrtarisht i hapur dhe sezoni operistik 2011/12. Aktivitete të tjera muzikore vijojnë, si psh. koncerti i çeljes së stinës koncertore “Klasik” më 21 tetor në Fier dhe më 23 tetor në Teatrin e Operas në Tiranë. Qendra e Gjermanishtes shfaq në datat 18 deri më 29 tetor një seri filmash të rinj gjermanë. a.q/NOA