Tiranë, 28 shtator 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha në konferencën e Krerëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, kërkoi bashkëpunim mes bashkive, për interesat e qytetarit. Që në fillim të fjalës së tij, ai theksoi se, “Ne po përpiqemi të kthejmë vëmendjen e administratave tona ndaj qytetarëve e interesave të tyre. Ne jemi të bindur dhe më se të qartë, e të vendosur që t’i mbajmë administratat tona sa më larg influencave e vorbullave politike, jo vetëm kaq por të krijojmë energji maksimale me të gjithë faktorët politikë në këshillat tanë dhe më gjerë, duke i kthyer ata në faktorë e promotorë të zhvillimit, të konsolidimit të shërbimeve, të uljes së barrës fiskale e nxitjes së biznesit e sipërmarrjes private, përmirësimit të infrastrukturës, shkollave, çerdheve, të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë në qytetet tona”. Duke iu drejtuar kolegëve ai shtoi se, në këto objektiva madhorë, në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të madhe të besuar nga qytetarët tanë në Tiranë, Korçë, në Durrës e Shkodër, në Kukës e Sarandë e kudo në Shqipëri, siç kemi për detyrë të kthejmë në energji pozitive bashkëpunimin ndërmjet nesh, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta, për më shumë autoritet fiskal e pushtet administrativ, për pasuri më të konsoliduara lokale, për shpejtësi më të madhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve. Sakaq ai theksoi se, “Në shtyllat që ndërtuan Europën e Bashkuar apo familjen e madhe të Këshillit të Europës, krahas respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut, krahas lirisë ekonomike e tregut të lirë do të rendisja me gojën plotë dhe duke shprehur mendimin e shumë kujt, jo vetëm në këtë sallë , bashkëpunimin si një çelës të artë të kohezionit social, kombëtar e europian”. Ndërsa si kryetar i Bashkisë së Tiranës ai cilësoi si një nga përkushtimet e tij bashkëpunimin në çdo kohë dhe me çdo kënd në të mirë të qytetarëve. Duke iu drejtuar ambasadorëve të pranishëm Basha i garantoi ata se bashkitë tona do të jenë promotore të zhvillimit të qëndrueshëm lokal, do të kontribuojnë për qeverisjen e mirë e transparente, do të përmirësojnë e konsolidojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Sakaq ky aktivitet u organizua nga Këshilli i Europës dhe Kongresi Europian i Autoriteteve Lokale. a.y/NOA
Në foto: Kryebashkiaku Lulzim Basha