Siri, 28 shtator 2011, NOA - Vendet e Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për sanksione të menjëhershme kundër regjimit sirian. Draft-rezoluta e re, e hartuar nga Britania, Franca, Gjermania, Portugalia dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, përfshin kërcënimin për sanksione të ardhshme nëse regjimi i presidentit Bashar al-Asad nuk ndalon operacionet ushtarake kundër civilëve. BE dënon shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut, ndërsa bën thirrje për fundin e menjëhershëm të dhunës. Hartuesit e draft-rezolutës do të kërkojnë miratimin e Kinës dhe të Rusisë, gjatë diskutimit të sotëm në Këshillin e Sigurimit. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 2,700 njerëz, shumica civilë, kanë humbur jetën në Siri, prejse kanë shpërthyer trazirat në mes të muajit mars. a.q/NOA/Reuters