Tiranë, 28 shtator 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Shqipëria ka shënuar progres të ndjeshëm me 16 përqind rritje sa i përket lirisë ekonomike. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë kryeministri Berisha theksoi se e vetmja rrugë për të mbrojtur vendin nga kriza ekonomike që ka përfshirë botën, është liria ekonomike. “Shqipëria i ka shpëtuar recesionit, krizës vetëm e vetëm për shkak të modelit ekonomik të bazuar mbi liritë ekonomike. Asnjë faktor nuk na ka mbrojtur ne nga kriza botërore përveç lirisë ekonomike”, u shpreh zoti Berisha. Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore dhe disa universiteteve serioze në botë mbi lirinë ekonomike, shefi i qeverisë tha se vendi ynë dëshmon për një progres të ndjeshëm në lirinë ekonomike. “Një progres prej 16 përqind, ndërkohë që në total për arsye të masave të diktuara nga kriza, liria ekonomike në botë ka njohur regres”, tha kryeministri, duke theksuar se megjithë progresin e arritur është e domosdoshme që të shqyrtohen një për një të gjitha kolonat mbi të cilat vendoset liria ekonomike. Këtu shefi i ekzekutivit përmendi se në fushën e lirisë ekonomike Shqipëria la prapa vetes 12 vende të BE- së, duke nënvizuar se kjo arritje e madhe duhet ta motivojë qeverinë që të bëjë gjithçka për zgjerimin e lirisë ekonomike dhe heqjen e të gjitha barrierave. Në këtë suazë kryeministri tha se Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë në botë për qeveritë e vogla. “Jemi në pozicion shumë të lartë, ne premtuam qeveri të vogël, realizuam qeveri të vogël. Raporti fakton se administrata shqiptare është një nga dhjetë administratat më të vogla në botë”, tha shefi i qeverisë duke i bërë thirrje ministrave dhe drejtuesve të agjencive shtetërore në vend të heqin nga mendja se mund të shtojnë qoftë edhe një njeri të vetëm në administratë. “Natyrisht koha, evolucioni kërkesa bëjnë të domosdoshëm krijimin e sektorëve dhe agjencive të reja, duke zvogëluar ato ekzistuese. Çdo përpjekje për të fryrë organikat dëshmon se po bëhemi viktimë e burokracisë dhe nuk do ta bëjmë këtë gjë”, tha ai, duke theksuar se administrata duhet të konsolidohet edhe më tej. “Kjo administratë e vogël është promotore dhe zbatuese e këtyre reformave duke arritur efiçencën shumë herë më shumë se sa kur ishte një administratë e fryrë. Nuk ka gabim më të rëndë sesa të vendosësh njerëz palë mbi palë që të rrinë e të vrasin kohën duke luajtur me letra e të hedhin fall me filxhan”, nënvizoi Berisha. Sipas tij Shqipëria renditet në një pozicion të shkëlqyer sipas raportit të lirisë ekonomike, në kursin e këmbimit, në shtrëngesat rregulluese për shitjen e pronave të paluajtshme, në posedimin e llogarive të çdo lloj monedhe, në taksën e të ardhurave, në konsumin e shpenzimeve të qeverisë, në konkurencën e bankave ku renditet ndër më solidet. “Në të gjitha këto jemi në Top Ten”, tha shefi i qeverisë, duke shtuar se Shqipëria renditet e 72-ta sa i përket lirisë së tregtisë ndësrkombëtare. Në këtë kuptim ai u la si detyrë dy ministrave të Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht ministrit Ridvan Bode dhe atij Nasip Naço të ulen e të vendosin për ndërprerjen e të gjitha barrierave. Kryeministri tha se Shqipëria duhet të marrë modelin e vendeve që janë në dhjetëshen e parë të këtij raporti për lirinë ekonomike. mit/NOA