Tiranë, 28 shtator 2011, NOA – Lajtmotiv i mbledhjes së qeverisë ishin edhe hidrocentralet, për të cilët kryeministri Berisha tha se përbëjnë suksesin më të madh ekonomik për Shqipërinë. “Në 3-4 vite janë dhënë me koncesion rreth 200 hidrocentrale”, bëri me dije shefi i qeverisë duke deklaruar prerë se nuk do të preken kurrsesi kanionet e mrekullueshme të vendit në shërbim të HEC-eve. E duke folur për interesin e madh për investime në fushën e energjisë, kryeministri Berisha deklaroi se nuk do të lejohet asnjë shkelje kontrate nga shoqëritë koncesionare, të cilat bllokojnë kaskada përrenjsh dhe lumenjsh shumë të rëndësishëm për investime. “Do të shqyrtohen liçencat e HEC-eve. Kompanitë që kanë shkelur kontratat do të përjashtohen nga gara”, tha zoti Berisha. Më pas ai iu referua turizmit dhe nënvizoi se duhet të krijohen paketat e zonave të resorteve turistike, me studime paraprake të kompanive më serioze të botës, si dhe të krijohen paketat e sipërfaqeve të tokës që do t’u ofrohen fermerëvë për t’i mbjellë në plantacione. Kryeministri Berisha foli rishtas për krizën ekonomike në zonën e euros, e cila sa vjen e thellohet, duke inkurajuar se mburoja e vetme për mosrënien e Shqipërisë në krizë është liria ekonomike dhe reformat. “Kërkoj që secili prej jush zotërinj ministra të analizoni çfarë keni bërë për të privatizuar asetet që janë në pronësi të ministrisë që drejtoni, çfarë keni bërë për të dhënë me koncesion apo në përdorim ato çka ndodhen në varësinë tuaj. Bëjeni etalon të veprimtarisë suaj. Shembulli më i mirë janë hidrocentralet, suksesi ynë më i madh”, theksoi kryeministri. mit/NOA