E mërkurë, 28 shtator 2011, NOA – Duke mos iu përmbajtur marrëveshjes për vulat doganore të nënshkruar në Bruksel, çka solli edhe tensionimin e situatës në veri të Kosovës pas vendosjes në vendkalimet kufitare të doganierëve e policëve të Kosovës, Kreu i delegacionit serb në bisedimet teknike me Kosovën, Borisllav Stefanoviç deklaroi se dialogu me Prishtinën do të shtyhet, deri kur Serbia të arrijë rezultate konkrete për krizën në veri të Kosovës në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Pas takimit të mbrëmshëm në Bruksel të shtyrë për këtë çështje, kryenegociatori serb u shpreh se fillimisht do të bisedohet me përfaqësuesin e BE-së, Robert Kuper, dhe atë të SHBA-ve, Filip Riker, rreth situatës në Jarinë dhe Bërnjak. Radio Evropa e Lirë citon deklarimet e Stefanoviç, i cili ka shprehur indinjatën e tij për tensionin në veri duke bërë me dije se është absolutisht e pamundur të bisedohet për telekomunikacionin, energjinë elektrike dhe bashkëpunimin rajonal kur qëllohet mbi qytetarët serbë të paarmatosur të veriut. “Natyrisht që me Prishtinën nuk do të bisedojmë derisa nuk i arrijmë disa modalitete. Prishtina as që do të bisedojë për Jarinën dhe Bërnjakun”, transmetojnë agjencitë serbe deklaratën e Stefanoviçit. Ai citohet të jetë shprehur se “bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë nëse arrihen rezultate konkrete rreth Jarinës dhe Bërnjakut. Është mirë që komuniteti ndërkombëtar e ka parë tani këtë çështje si prioritet”. Sipas tij dhunën në veriun e Kosovës ku banon shumicë serbe e shkaktoi aksioni i njëanshëm i Prishtinës, duke çuar në pikat kufitare doganierët kosovarë. “Ajo çfarë ka ndodhur në Jarinë, jo vetëm që e minon dialogun, por edhe stabilitetin e brishtë në Kosovë”, ka thënë Stefanoviç. REL/NOA