English

MPJ: Mbështetje Kosovës në vendosjen e sovranitetit

Tiranë, 28 shtator 2011, NOA- Ministria e Jashtme e vendit tonë nëpërmjet një deklarate për mediat reagoi lidhur me dhunën e ndodhur në veri të Kosovës. Ministria e Jashtme shprehet se po ndjek me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në veri të Kosovës, dhe së fundmi, kundër trupave të KFOR-it në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës. Në vijim shprehet mbështetja e palës shqiptare ndaj vendosmërisë së Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj dhe vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Në deklaratë thuhet se, “Mbështesim Qeverinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, për zbatimin e marrëveshjes së 5 gushtit dhe 2 shtatorit, për largimin e barrikadave, që cenojnë dhe pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Vlerësojmë se dhuna kundër trupave të KFOR-it, plagosja e tre shqiptarëve në Mitrovicë, deklaratat destruktive, si dhe bllokimi i bisedimeve teknike Kosovë-Serbi në Bruksel, nuk janë rruga e duhur për të ecur drejt stabilitetit dhe integrimit europian”. Sipas ministrisë shqiptare, zbërthimi i strukturave paralele e bandave kriminale, prodhues të destabilitetit dhe pasigurinë në këtë pjesë të Ballkanit, konsiderohet si një detyrë dhe përgjegjësi e qartë e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. a.y/NOA

KOMENTE