Tiranë, 28 shtator, NOA – Tirana mbledh gjatë tre ditëve të ardhshme presidentët e Konferencave ipeshkvnore katolike të gjithë Evropës. Lajmi është konfirmuar nga “Radio Vatikani”, sipas të cilit, duke nisur që nga data 29 shtator deri më 2 tetor, do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, mbledhja plenare e këtyre ipeshkvijve.
“E në kryeqytetin e Shqipërisë tashmë gjithçka është gati për pritjen e punimeve të Asamblesë së ardhshme Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, e cila do të zhvillohet me ftesë të arqipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit dhe Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita”, citon media e njohur e Selisë së Shenjtë.
Duke shtuar se pas vizitës historike të të Lumit Papa Gjon Pali II në prill të vitin1993, takimi i Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) do të përbëjë, sipas Kishës lokale shqiptare, ngjarjen kishtare më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit për Shqipërinë, kjo edhe për numrin e madh të kardinajve dhe të ipeshkvijve që do të marrin pjesë në këtë takim të rëndësishëm kishtar evropian.
Ndërkaq, bëhet me dije paraprakisht se një delegacion i kësaj konference do të zhvillojë një takim me presidentin e Republikës, Bamir Topi, dhe me kryeministrin Sali Berisha.
Në vitin që shënon 40-vjetorin e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (1971-2011) (CCEE ), përvjetor ky që do të kremtohet në një mbledhje të veçantë në Romë më 22 nëntor të këtij viti, Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, anëtarë të këtij organizmi (CCEE) do të zgjedhin Presidencën e re të CCEE për pesëvjeçarin 2011-2016 (nga plenarja në plenare). Në detyrën e Presidentit dhe të dy Zv-Presidentëve kanë të drejtë zgjedhjeje të gjithë Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore aktualisht në detyrë.
Për të përcaktuar kontributin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës për Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve mbi temën e Ungjillëzimit të ri, thirrur nga Papa Benedikti i XVI për tetorin e 2012 në Vatikan, Këshilli i Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) u ka dërguar një pyetësor Konferencave ipeshkvnore me qëllimin për të mbledhur e për të nxjerrë në dritë ide, situata e propozime mbi temën e Ungjillëzimit të ri.
Në Tiranë, reflektimi mbi këtë temë i është besuar Jean Luc Moens, koordinator i përvojës së misioneve qytetare të kryeqyteteve evropiane, që do të ketë për detyrë të sintetizojë përgjigjet që kanë arritur këtyre javëve në Këshillin e Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), dhe imzot Salvatore Fisichellës, Presidentit të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri.
Gjatë punimeve, ipeshkvijve do t’u bëhen të ditura edhe rezultatet e takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm që është zhvilluar në qershorin e kaluar në Vilnius (Lituani) pikërisht mbi këtë temë. Takimi i Tiranës do të përbëjë rastin për një punë të përbashkët mbi këtë temë për të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të Evropës para Sinodit të Ipeshkvijve.
Gjithashtu do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit Oriental.
Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012).
n.e/NOA