E mërkurë, 28 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një i ri shqiptar u arrestua për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni, përveçse për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Shqiptari H.Zeni 27 vjeç përfundoi në prangat e policisë italiane mëngjesin e sotëm pas komunikimit nga ana e Prokurorisë të mandatit të arrestit nga ana e Gjykatës në Savona. Operacioni i koduar “Pimp” bëri të mundur arrestimin e 27 vjeçarit, i cili rezultoi se prostituonte një vajzë romune 22 vjeçare, ndërsa jetonte me të në Carcare, duke e nxjerrë përditë në rrugë dhe duke vjelë të ardhurat e saj. Ndërkaq në vijim të hetimeve policia zbuloi se nga aktiviteti i tij rezultonte se shpërndante drogë dhe furnizonte të rinj të tjerë me lëndë narkotike të llojit kokainë dhe hashash. Aktualisht 27 vjeçari shqiptar ndodhet i burgosur në ambientet e paraburgimit në Savona, në pritje të seancës së parë gjyqësore e cila pritet të mbahet të premten nën drejtimin e gjyqtares Florenza Giorgi. a.y/NOA