Tiranë, 28 shtator 2011, NOA - Përfaqësuesit e minoritetit nëpërmjet një deklarate për media e quajnë censusin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, regjistrim statistikor që ka për qellim tkurrjen artificiale të tyre, prandaj i bëjnë thirrje minoritarëve të mos marrin pjesë në të. Në emër të PBDNJ-së, Vasil Bollano i kërkoi të gjithë minoritarëve të mos bëhen pjesë e këtij regjistrimi, pasi nuk i shërben zgjidhjes së problemit të tyre. “Ne konkludojmë se, ky regjistrim nuk ka për qëllim evidentimin real të pjesëtarëve të minoriteteve por përkundrazi tkurrjen e tyre statistikore artificiale dhe përligjien në këtë mënyrë të politikave të regjistrimit komunist në lidhje me to. Ne deklarojmë se nuk e njohim atë proces dhe as produktin e tij. Ne përfaqësuesit e minoriteteve etnike dhe etno-kulturore u drejtohemi anëtarëve tanë që të mos përfshihen në një census që nuk i shërben zgjidhjes së problemeve aktuale, por shtimit dhe konfliktimit të mëtejshëm të tyre”, u shpreh Bollano. a.q/NOA