E mërkurë, 28 shtator 2011, NOA- Një operacion i policisë së Kosovës ka bërë të mundur prangosjen e 17 personave gjatë kontrollit në 35 zona të ndryshme në vend. Burime zyrtare nga Policia e Kosovës thanë për NOA, se ky operacion erdhi në zbatim të urdhrit të Gjykatës Komunale Prishtine për kontrollimin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse të disa personave të dyshuar. Policia e Kosovës ka ndërmarrë këtë operacion me dyshimin e bazuar se persona të dyshuar kanë kryer veprën penale Krime Kibernetike të njohur ndryshe si kompjuterike që sanksionohet me ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë. Mësohet se të arrestuarit i janë shmangur tatimeve, duke mashtruar. Gjatë këtij operacioni i cili është zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, policia ka kontrolluar 35 vende nga ku janë arrestuar 17 persona. Të prangosuri janë: Leonard T. 19 vjeç, Gazmend M. 45 vjeç, Agron S. 33 vjeç, Kadri S. 32 vjeç, Agim R. 31 vjeç, Burim Q. 45 vjeç, Bajram H. 39 vjeç, Besnik G. 24 vjeç, Bashkim S. 32 vjeç, Florin B. 38 vjeç, Arbnor G. 21 vjeç, Milot R. 24 vjeç, Misin B. 33 vjeç, Kadri G. 25 vjeç, Ylli Zeka 32 vjeç, Bajram K. 24 vjeç dhe Ideal M. 33 vjeç. Si rrjedhojë e këtij operacioni janë konfiskuar edhe aparatura të ndryshme elektronike në cilësi të provave materiale si, 28 shtëpiza të kompjuterëve; 2 kompjuter lap-top, 84 Dream Box, 13 Resiverë (marrës të sinjalit televiziv), 10 telefona celular; lista të klientëve si dhe materiale të ndryshme që mund të përdoren si dëshmi. Sakaq sipas hetimeve të policisë dyshohet se personat e dyshuar kanë arritur që përmes serverëve të veçantë të bëjnë shpërndarjen e kanaleve televizive tek klientë në mënyrë të pa autorizuar duke përfituar nga ky veprim i kundërligjshëm dhe duke dëmtuar kompanitë e licencuara për një gjë të tillë si dhe buxhetin e Kosovës. a.y/NOA
Në foto: Pajisjet e sekuestruara