Elbasan, 28 shtator 2011, NOA - Në prefekturën e Elbasanit është zhvilluar një takim përsa u përket shpronësimeve të banorëve që preken nga projekti i rrugës Elbasan-Tiranë. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë kryetarët e dy komunave nga ku kalon rruga, komunës Gracen dhe Bradashesh, specialist të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, drejtues të ALUIZNI-t dhe Hipotekës në Elbasan. Sipas prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, qeveria ka planifikuar fondet për këtë qëllim dhe shumë shpejt pritet shpronësimi i banorëve. Prefekti ka kërkuar përshpejtimin e procedurave nga njësitë vendore, drejtoritë dhe institucionet në mënyrë që procesi për identifikimin e të shpronësuarve t’i paraprijë ndërtimit të rrugës. Specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrisë së Transporteve janë shprehur se gjithçka është gati dhe se mbetet paraqitja e dokumentacionit nga banorët në mënyrë që të fillojë menjëherë procesi i shpronësimeve. Kryetari i komunës Bradashesh, Sabri Sallaku, është shprehur se komuna do të ndihmojë banorët që të përgatisin në kohë dokumentacionin. Ai ka kërkuar lehtësimin e procedurave në interes të banorëve Nga ndërtimi i rrugës Elbasan-Tiranë do të shpronësohen 24 familje në Gracen e Bradashesh. Shpronësimet përfshijnë shtëpi banimi e objekte të ndryshme si dhe tokë bujqësore. Për banesat në proces privatizimi është kërkuar përshpejtimi i procedurave nga ALUIZN-i. a.q/NOA
Tiranë – Elbasan, nis puna për procesin e shpronësimeve
-
Endriw Avdiu16:21 - 28 Shtator 2011Si mendim nuk asht dhe shum i keq .. Por urojme qe ky projekt te ket sukses e te vazhdoj sa me shpejte ...