Tiranë, 28 shtator 2011, NOA - “Shqipëria ka bërë një progres fantastik në një kohë të shkurtër. Zhvillimi shihet kudo. Qytetarët kanë vetbesim dhe ky është një tregues i suksesit”, tha sot Ambsadori i ri i Hungarisë në Shqipëri, Janos Huszar në takimin me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që mes dy parlamenteve është krijuar një model i shkëlqyer bashkëpunim. Këtë e dëshmojnë vizitat e shumta të ndërsjellta dhe së fundmi vizita e kryeministrit Orban dhe e Kryetarit të parlamentit hungarez. “Mbështetja e Hungarisë ka qenë e qartë dhe e hapur, dhe nuk e harrojmë faktin që parlamenti i Hungarisë ka qenë i parë që ratifikoi protokillin e NATO-s dhe ndër të parët që ratifikoi marrëveshjen e MSA-së”, tha Topalli. Në takim u theksua rëndësia që marrëdhëniet shumë të mira politike të përkthehen sa më shumë të jetë e mundur në mundësi konkrete bashkëpunimi ekonomik. “Ekonomia shqiptare, tha kryetarja e Kuvendit, po njeh vetëm rritje dhe kjo e njohur tashmë ndërkombtarisht përmes raporteve të fundit prestigjioze ekonomike botërore. Shqipëria po progreson. Integrimi në BE mbetet objektivi ynë kombëtar dhe kryefjala e punës sonë ka qenë dhe është Reforma.” Po sot, kryetarja e Kuvendit ka pritur edhe ambasadorin e Japonisë, Masaharu Kono dhe atë të Australisë, Jennyfer Polyxeni Bloomfield. Edhe me ta është diskutuar rreth marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit. a.q/NOA