English

Urdhri i Farmacistit: Në spitale mungon shërbimi farmaceutik

Tiranë, 28 shtator 2011, NOA- Presidenti i Urdhrit të Farmacistit Arjan Jaupllari u shpreh sot se, mungesa e shërbimeve farmaceutike cilësore, vjen si rrjedhojë e shumë faktorëve, që lidhen me prirjet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore publike, për të atrofizuar shërbimin farmaceutik spitalor, si i vetmi shërbim farmaceutik shtetëror në vend. Sipas Urdhrit të Farmacistëve edhe pse fondi për barnat spitalore është 3- fishuar nga qeveria këto 5-6 vitet e fundit, ndjesia e qytetarëve dhe faktet flasin për një përkeqësim deri në mungesë të plotë të furnizimit me barna të farmacive spitalore. “Duke analizuar gjendjen e shërbimit farmaceutik spitalor, sot mund të themi pa ngurrim se, në spitalet tona nuk ka menaxhim të shërbimit farmaceutik, bëhen thjesht rregullime llogarish administrative burokratike. Buxheti për barnat nuk shihet më si një instrument për të siguruar barnat e nevojshme për të mbyllur ciklin e trajtimit terapeutik të pacientit brenda mureve të spitalit, por shihet si një sasi lekësh të cilat duhen harxhuar, here në mënyrë të çorientuar e herë në mënyrë abuzive. Përgjegjësi kryesore për këtë situatë kanë Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e spitaleve, të cilat, nuk i japin të dhëna askujt rreth blerjeve dhe konsumit të barnave, procedurave të tenderave, fituesve, analizave të nevojave për barna, analizave farmakoekonomike, juridike dhe etike në bazë të së cilave duhet që tu planifikohen buxhetet”. Më tej sqarohet se, kjo mungesë kronike e barnave po vë përballë ditë pas dite qytetarët dhe ata pak farmacistë që punojnë në spitalet tona, duke krijuar konflikte midis palëve më të dëmtuara, kurse dëmtuesit nuk cenohen. Theksohet gjithashtu se kërkesa për barna që nuk gjenden në farmacitë e spitalit dhe heqja me qëllim nga Ministria e Shëndetësisë e kritereve teknike të hapjes së farmacive private, ka bërë që të hapen me dhjetëra farmaci afër spitaleve, në shumicën e rasteve në pronësi të investuesve të rastit, jo-farmacistë, aq më keq që në këto farmaci rrallë herë shërbejnë farmacistët. Në përfundim Jaupllari shprehet se, “Zëri i profesionistëve farmacistë, si aktorë shumë të rëndësishëm në sistemin farmaceutik, për shkak se është kritik, nuk merret parasysh nga Ministria e Shëndetësisë, duke krijuar një mungesë bashkëpunimi totale që po tjetërson sistemin farmceutik, po përdhos profesionin e farmacistit dhe po dëmton rëndë shëndetin dhe interesat e pacientëve”. Qëndrimi i Urdhrit të Farmacistëve vjen në përmbushje të misionit të tij, për ruajtjen e garantimin e cilësisë së lartë të shërbimit farmaceutik në mbrojtjen e pacientëve dhe konsumatorëve dhe për qartësimin e pozicionit të tij në lidhje me mungesën kronike të shërbimeve farmaceutike në spitalet rajonale dhe në spitalin universitar “Nënë Tëreza”. a.y/NOA

KOMENTE