English

Basha: Pas dy javësh, paketa e re fiskale për Tiranën

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, mori pjesë sot në hapjen e panairit ndërkombëtar të mobilierisë. Basha duke shprehur vlerësimin e tij për këtë sipërmarrje të biznesit, u shpreh për masat që ka ndërmend të marrë Bashkia, për ta bërë Tiranën, një nga qendrat më atraktive për biznes, në rajon e më gjerë. Duke folur konkretisht, Kryebashkiaku shpjegoi paketën e re fiskale që planifikon të kalojë pas dy javësh në Këshillin Bashkiak të Tiranës. “Dua të shpreh kënaqësinë e veçantë timen personale si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë pikëtakim të madh të blerësve, shitësve, konsumatorëve, pronarëve dhe qytetarëve që kërkojnë të përmirësojnë jetën e tyre, por edhe të sipërmarrësve që ofrojnë mundësi, kushte për ta bërë këtë. Tirana është një qytet i denjë për ekspozime të tilla, por edhe për manifestime të tilla të tregut të lirë, të iniciativës, të biznesit, të shkëmbimit jo vetëm tregtar, por edhe të ideve, vizioneve, teknologjive, të cilat do t’i vizitojmë me shumë kënaqësi në panairin që çelim sot.

Për këtë arsye, dua të përgëzoj organizatorët e këtij panairi, të cilët po e kthejnë këtë eveniment tashmë 8 vjeçar, në një traditë, në një markë të njohur, jo vetëm për Tiranën, për Shqipërinë, për rajonin, por dhe më gjerë, duke patur parasysh se pjesëmarrja e bizneseve, sot ngërthen Shqipërinë dhe Kosovën, Italinë dhe Greqinë, Serbinë, Egjiptin, etj”, tha ai. Duke shtuar se Tirana nuk është vetëm një qytet mikpritës, por është edhe një qendër e mirë rajonale, ku mund të bëhet biznes. “Bashkia dhe unë personalisht jemi të përkushtuar, që qyteti ynë të shndërrohet në qytetin më atraktiv, më të preferuar për biznesin e Tiranës, Shqipërisë, Kosovës, rajonit dhe mbarë Europës. Politikat që ne do të ndërmarrim në këtë drejtim, synojnë pikërisht këtë, që askush të mos mendohet gjatë, para se ta vendosë gishtin tek Tirana, si qyteti më i favorshëm për të bërë biznes. Pikërisht, për këtë arsye, pas dyjavësh do t’i paraqesë Këshillit Bashkiak të Tiranës, platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak, pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës, nga 60 taksa dhe tarifa vendore, që deri më sot kanë rënduar veprimtarinë e këtyre bizneseve, qofshin këta të regjistruar dhe veprimtarë në Tiranë, apo miq të angazhuar në marrëdhëniet tregtare me qytetin e Tiranës”, shtoi ai. Duke përfunduar se po kështu, do të stimulohen investimet dhe veprimtaritë tregtare, duke hequr plotësisht taksat për një periudhë 4 vjeçare, për cilindo biznes që premton angazhim për hapjen e 50 apo më shumë vendeve të reja të punës. “Bashkia e Tiranës do të jetë e lumtur, sa më shumë të kenë mundësi qytetarët e saj, për të blerë mallra të standardeve të larta dhe po ashtu, sa më shumë të lulëzojë biznesi dhe tregtia në këtë qytet. Ne do të jemi një aleat i biznesit të mobilerisë, duke ofruar të gjithë asistencën dhe lehtësirat e duhura, duke e parë këtë si mundësi për shtimin e vendeve të punës, sepse ky mbetet prioriteti numër një i Bashkisë sëTiranës”, kryebashkiaku Basha. a.q/NOA

KOMENTE