English

Beçaj takon homologen austriake: Pavarësia, thelbësore për gjyqësorin

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA – “Pavarësia e gjyqtarit në kryerjen e detyrës së tij nuk është një privilegj i ofruar nga ligji, por kusht parësor për të përmbushur me sukses detyrën e tij”. Kështu është shprehur Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Austrisë Imgard Griss në një takim me homologen e saj Shpresa Beçaj. Kjo pavarësi sipas Griss është mbi të gjitha privilegj për popullin, pasi është ky i fundit që kërkon të ketë siguri dhe besim tek anëtarët e gjyqësorit të të gjitha niveleve. "Përzgjedhja e gjyqtarëve dhe mbështetja politike luajnë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e vështirësive aktuale të gjyqësorit shqiptar, por pavarësisht mbështetjes së kërkuar nga politikbërësit, këta të fundit nuk duhet të ndikojnë në punën e gjyqtarit" ka theksuar Griss. Znj. Griss evidentoi faktin se përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë në Austri bëhet duke respektuar jo vetëm aftësitë profesionale dhe formimin e vazhdueshëm të një kandidati, por edhe në sajë të vlerave morale dhe etike gjatë kryerjes së detyrës së tij ndër vite. Nga ana e saj Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë e njohu homologen e saj austriake me veçoritë e sistemit gjyqësor shqiptar duke bërë një prezantim të detajuar të organizimit dhe funksionimit të tij e në veçanti të Gjykatës së Lartë. Ajo u shpreh se vlerat dhe traditat që mbart Austria në fushën e së drejtës si dhe zbatimi i tyre në praktikë, janë një model drejt së cilit duhet të orientohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht në kuadër të aspiratave evropiane. “Sfidat me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor dhe përmbushja e objektivit kryesor të dhënies së drejtësisë, janë çdo ditë pjesë e jetës profesionale të çdo anëtari të Gjykatës së Lartë, i cili me përkushtim dhe devotshmëri përpiqet të arrijë standardet e kërkuara Kushtetuese dhe ligjore” ka theksuar Beçaj. Sipas saj bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejësisë duhet të jetë sa më i ngushtë, në mënyrë që publiku të ketë besim të plotë tek organet garantuese të të drejtave dhe lirive të individit. a.q/NOA

KOMENTE