English

Berisha: Integrimi në BE, në respekt të Kushtetutës

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha priti sotnjë takim ambasadoren e Francës në vendin tonë, Maryse Daviet. Në këtë takim i cili erdhi me përfundimin e mandatit të diplomates franceze në vendin tonë, Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht ambasadoren Daviet për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e saj për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale, të cilat, siç tha ai, janë në nivelin më të lartë. Ai theksoi se ambasadorja Daviet ka qenë një mike e madhe e Shqipërisë. Në vijim Kryeministri u shpreh se Shqipëria, si një vend anëtar i Organizatës së Frankofonisë është shumë e lidhur me vlerat e saj dhe vlerësoi rolin e ambasadores Daviet në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave në Shqipëri. Nga ana e saj ambasadorja Daviet e falënderoi Kryeministrin për vlerësimin për kontributin e saj, shprehu respektin e madhe për Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe theksoi se duke kryer detyrën si diplomate në interes të vendit të saj, ajo i kishte shërbyer gjithashtu forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo aspekt. Në këtë drejtim, ajo u ndal në një numër projektesh të përbashkëta që synojnë modernizimin në fusha të ndryshme të administratës, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Ambasadorja Daviet theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është themelor për modernizimin e vendit dhe shoqërisë. Ajo i konsideroi shqiptarët e integruar në shoqëritë perëndimore, në mënyrë të veçantë në Francë, si përfaqësuesit më të mirë të Shqipërisë në botë. Në të njëjtën linjë Kryeministri Berisha e siguroi ambasadoren se integrimi në Europë mbetet prioriteti kryesor dhe se ky integrim duhet të bazohet në respektimin e Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës, si kushte themelore për një demokraci të qëndrueshme. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha gjatë takimit me ambasadoren franceze Maryse Daviet

KOMENTE