Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, opozita dhe kryeministri Berisha nuk ishin përballur drejtpërdrejtë në sallën e Kuvendit, të paktën jo nëpërmjet një interpelance. Kjo, për shkak të bojkotit të gjatë të së majtës të punimeve të Kuvendit. Sot, opozita, pasi më parë deklaroi se nuk do të votojë asnjë ligj që kërkon 84 vota përpara së miratohen 10 propozimet e saj, vendosi të qëndrojë në interpelancën e kërkuar më herët me kryeministrin Berisha. Dhe njeriu që në emër të së majtës, mori përsipër të verë kryeministrin Berisha me shpatulla pas murit, ishte deputeti Eriom Braçe. “Molla e sherrit”, këtë herë ishte “babëzia e qeverisë” në privatizimet shqiptare.
Braçe: Berisha po të sfidoj, jeni të uritur për burimet e Shqipërisë
Deputeti Brace akuzoi kryeministrin Berisha se po bën takime me persona që duan të shfrytëzojnë burimet e vendit, ndërsa sipas tij qeveria po privatizon gjithçka që është pasuri kombëtare. Ai ka renditur në Kuvend, dhjetra kontrata konçensionare, që sipas Brçes janë firmosur nga vetë kryeministri për shfrytëzimin e burimeve natyrore në vendin tonë, si në minierë, energji apo edhe elektronikë. “Janë 268 leje minerare për shfrytëzimin e kromit. Dhe jeni ju, zoti Kryeministër që kontrolloni gjithçka”, tha Braçe duke cilësuar si të dështuar edhe konçensionin në minierën e Bulqizës.
Berisha: Opozita ka frikë nga vetja dhe vota e saj
“Kjo mazhorancë do të bëjë ç’është e mundur për të zgjidhur problemet e vendit dhe interesat e qytetarit”. Këtë premtim kryeministri ka bërë sot pasdite sot përmes foltores së Kuvendit, në interpelancën e kërkuar nga deputeti socialist, Erjon Braçe. Sipas tij, është pikërisht kjo qeveri që arriti të dyfishojë rrogat dhe pensionet e vendosi barrën fiskale më të ulët në vend. “Ju keni frikë nga vota juaj prandaj nuk votoni votat me 3/5, ndërsa qeveria mendon për rimëkëmbjen dhe prosperitetin e qytetarëve. Miratimi i ligjeve është në interes të qytetarëve. Ne kemi si qëllim zhvillimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë", tha Berisha. Duke iu përgjigjur akuzave të deputetit socialist se qeveria po privatizon asetet kombëtare, kreu i qeverisë theksoi se qeveriai shndërroi shqiptarët në pronarë. “Ne nuk kemi arritur të përsosurën, por me programin dhe përpjekjen tonë kemi bërë qytetarët shqiptarë në pronarë dhe vendosëm në pronësinë e tyre Shqipërinë. Akti më madhor i kësaj mazhorance është ndarja e tokës. Kjo mazhorancë ka vënë arkivin e saj të trashëgimisë dhe asetet e këtij vendi në varësi të qytetarëve”, ka theksuar Berisha. Kryeministri tha se kontrata e parë konçensionare, në fushën minerare, e cila po kritikohet sot nga opozita është firmosur në kohën e qeverisjes së socialistëve, deklaratë e cila ka shkaktuar replika të tjera në sallën e Kuvendit. Sipas deputetit socialist Braçe, kjo kontratë është firmosur nga ish kryeministri i atëhershëm Ilir Meta, i cili sot, sipas Braçes është aleat me Berishën në qeverisje. a.q/NOA