English

Debati për varrezat e makinave, PS kundër. PD: Mbrohet mjedisi

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kuvendi nisi punimet e seancës plenare të radhës me shqyrtimin e aktit normativ "Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare". Akti i propozuar nga Ministria e Mjedisit synon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin. Sipas opozitës ky akt normativ është në kundërshtim me Kushtetutën pasi nuk i përgjigjet tre elementeve nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të domosdoshme. Deputeti socialist Armand Subashi thotë se akti “bie ndesh me Kushtetutën” si dhe me konfiskimin e këtyre mjeteve nga ministria, sic është parashikuar në akt, cënohet e drejta pronësisë. “Nuk mund të konfiskohet pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor”, tha Subashi. Sipas deputetit socialist akti “Nuk do zgjidhë problemet mjedisore pasi nuk do mbyllen varrezat por do zhvendosen më tej, më afër zonave të banuara”, gjithashtu “nxjerr në pah korrupsionin e radhës, dhe nuk zgjidh problemin përfundimisht”. Sipas maxhorancës këto makina, që kanë dalë jashtë përdorimit janë bërë dhe shkak për disa aksidente. “Me largimin 1 km nga akset kryesore të këtyre varrezave, në bazë të aktit normativ 290 aktivitete të palicencuara do detyrohen të largohen dhe do detyrohen të marrin leje mjedisore”, deklaroi ministri i Transporteve Olldashi Ndërsa, për zv ministri i Mjedisit, Taulant Bino, varrezat përbëjnë rrezik për qarkullimin. “Ka afron 18% e aksidenteve që rrjedhin nga prania e varrezave të automjeteve", deklaroi ai. Nga ana e deputetit të maxhorancës Tritan Shehu, akti normativ është mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit. Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit është futur sërish pr/ligji për Gjykatën Administrative, i cili kërkon 84 vota si dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, miratimi i të cilave kërkon gjithashtu 84 vota. Mosarritja e kësaj shumice të cilësuar votash detyroi mazhorancën të shtyjë disa herë votimin e pr/ligjit për Gjykatën Administrative. Sot pritet dhe interpelanca e kryeministrit Berisha dhe ministrin e Financave, Ridvan Bode e kërkuar nga opozita. a.q/NOA

KOMENTE