Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti konsujt shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian dhe të rajonit Gjatë takimit kreu i diplomacisë shqiptare, theksoi se një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive konsullore shqiptare kudo në botë, ka qenë e mbetet shërbimi cilësor për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit. Në vijim ai vuri theksin te domosdoshmëria e rritjes së numrit të shërbimeve, të cilat përveç veprimeve të përditshme konsullore, duhet të përfshijnë edhe asistencën ligjore për shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Sakaq ai u shpreh se dhënia e pasaportave biometrike në Ambasadat Shqiptare në Greqi dhe Itali është një histori suksesi e Ministrisë së Jashtme. Ndërsa në kuadër të zgjerimit të shërbimit konsullor dhe për t’i shërbyer më mirë emigrantëve shqiptare Haxhinasto tha se po shqyrtohet hapja e konsullatës shqiptare në Kretë. Sipas tij, një objektiv i punës dhe aktivitetit konsullor të Ministrisë së Punëve të Jashtme do të vazhdojë të jetë hapja me përparësi e “Shtëpive Kulturore për Shqiptarët”, dhe i mësimit të gjuhës shqipe, fillimisht në vendet ku komuniteti shqiptar është më i përqendruar dhe pastaj do përdoret si model për t’u shtrirë në vende të tjera. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto gjatë takimit me konsujt shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian dhe rajonit shoqërohej nga shefja e misionit të IOM, (Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit) në Tiranë, Elisa Tsakiri. a.y/NOA
Në foto: Ministri Haxhinasto gjatë takimit me konsujt