E enjte, 29 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një emigrant shqiptar i cili prej kushteve të vështira ekonomike ishte detyruar të emigronte drejt Italisë, qëndronte atje pa dokumenta... por pavarësisht sakrificës ai gjeti vdekjen teksa ishte duke punuar. Lidhur me këtë ngjarje u arrestua për vrasje të qëllimshme dhe për punësimin e klandestinëve në të zezë, titullari i shoqërisë ndërtuese, për të cilën punonte emigranti shqiptar i cili gjeti vdekjen në Castelfiorentino të Firences. Viktima quhet Ndoc Gomila, 44 vjeç nga Shqipëri dhe pa dokumenta në Itali, ndërsa në pranga përfundoi 36 vjeçari Renato Ndreu po nga Shqipëria. Sipas karabinierëve, punëtori ra nga 8 metra lartësi së bashku me punëdhënësin gjatë kohës që ishin duke bërë një inspektim për rindërtimin e një kapanoni, po kur hipi mbi çati ajo u rrëzua si pasojë duke u thyer strukturat mbajtëse të çatisë. Gomila ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, mësohet se ai punonte në të zezë pasi leja e qëndrimit i kishte mbaruar. Viktima jetonte në Castelfiorentino prej disa muajsh së bashku me familjen e tij. a.y/NOA