English

Kodra: Politika për rritjen e mirëqënies te fëmijët

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA- Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe UNICEF prezantuan sot raportin paraprak të studimit për “Ndikimin e Varfërisë tek Fëmijët”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Zv/Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra, vuri në dukje rëndësinë e këtij studimi, i cili sjell një pasqyrë të qartë të ndikimit të zbatimit të skemës së ndihmës ekonomike tek rritja e mirëqënies së fëmijëve. “Rekomandimet e studimit do të shërbejnë që Ministria e Punës, por edhe institucionet e tjera, të hartojnë dhe zbatojnë politika sociale të cilat ndikojnë maksimalisht tek rritja e mbështetjes për fëmijët. Reformimi i vazhdueshëm i skemës së ndihmës ekonomike ka synuar zbutjen e varfërisë dhe rritjen e mbështetjes për kategoritë në nevojë, ku një rëndësi të veçantë marrin edhe fëmijët”, u shpreh Kodra. Në vijim ajo shtoi se, duke u bazuar në rezultatet paraprake të studimit, do të hartohen dhe zbatohen politika të tilla të cilat ofrojnë jo vetëm thjesht përfitime ”ekonomike”, por edhe sociale, veçanërisht për fëmijët, duke përcaktuar rrugët që ndikojnë në përdorimin më të mirë të ndihmës ekonomike për plotësimin e nevojave të fëmijëve. Nga ana e tij, përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm theksoi se, “UNICEF po mbështet reformën qeveritare për rishikimin e transfertës së parave në mënyrë që të funksionojë më mirë për fëmijët.” Sipas z.Palm "Gjetjet e Studimit dhe rekomandimet do të ndihmojnë në transformimin e ndihmës ekonomike nga instrument mbijetese në një investim për uljen e varfërisë, me qëllim që të shkëputet lidhja ”trashëgimore” e varfërisë, pra që fëmijët të mos e trashëgojnë varfërinë nga gjyshërit dhe prindërit.” Mësohet se studimi është bazuar në një kampion prej 3754 familjesh të varfra dhe sipas gjetjeve të studimit varfëria ndikon jo vetëm në ushqyerjen e pamjaftueshme të fëmijëve, por edhe në aksesin më të pakët të tyre në arsim, shëndetësi, etj. Studimi është ndërmarrë nga Instituti i Kërkimeve Urbane dhe Qendra Kombëtare për Studimet Sociale dhe është mbështetur nga UNICEF. a.y/NOA

Në foto: Zv/Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm

KOMENTE