Nju Jork, 29 shtator 2011, NOA - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur mbrëmë në një seancë me dyer të mbyllura ku një nga pikat e rendit të ditës ishte situata në veri të Kosovës. Nën dritën e diskutimit ishte dhuna e shkaktuar të martën pas sulmit se turmave serbe mbi forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Megjithatë pas seancës, komenton RTK, nuk u dha asnjë deklaratë nga pjesëmarrësit në takim për çfarë u tha për veriun e Kosovës dhe as mbi mundësinë e vënies së sanksioneve ndaj Sirisë. Seanca e Këshillit të Sigurimit zgjati mbi dy orë. Mbledhja rreth rezolutës ndaj Sirisë do të vazhdojë edhe sot pasdite, ndërsa nuk dihet nëse në këtë pako do të flitet sërish për situatën në veri të Kosovës. Në seancën e mbrëmshme morën pjesë ambasadorët e 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ndërsa kërkesën që edhe situata në veri të Kosovës të futej në rend dite e kishte bërë Rusia, si anëtar i përhershëm i Këshillit, me arsyetimin se njësitë dhe veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it kishin ushtruar dhunë mbi popullsinë serbe. Më herët, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Martin Nesirky ritheksoi qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, ku bëhej thirrje për parandalimin e konfrontimeve në veri dhe ku kërkoheshin hapa praktikë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut. Edhe qeveria amerikane reagoi ndaj situatës në veri duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin e dhunshëm nga bandat serbe kundër forcave të NATO-s dhe KFOR-it më 27 shtator. Kumtesa e DASH-it shprehte keqardhje që pjesëtarët e KFOR-it pësuan lëndime ndërsa po kryenin përgjegjësitë e tyre sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. “Ne do të vazhdojmë të përcjellim zhvillimet në Kosovë, ndërsa bllokadat e rrugëve, barrikadat dhe dhuna vetëm vështirësojnë jetën e përditshme të njerëzve,” thuhej në reagimin e qeverisë amerikane. RTK/NOA