English

Kuvend, nisin interpelancat. Berisha e Bode përballë opozitës

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Në Kuvend kanë nisur pak minuta më parë interpelancat që opozita ka kërkuar me kryeministrin Berisha dhe ministrin e financave Bode. Momentalisht, kryeministri Berisha po i përgjigjet akuzave të deputetit socialist Erion Braçe, lidhur me situatën ekonomike në vend, e në veçanti për aktualitetin në minierat shqiptare.(vijon)

PS akuza qeverisë për taksat e makinave, Bode: I përgjysmuam

Interpelanca e parë, në seancën e sotme u kërkua nga deputetja e PS-së, Mimi Kodheli për ministrin e Financave Ridvan Bode, lidhur me taksën e automjeteve. “Makinat do paguajnë taksën e re të qarkullimit e cila rrit barrën fiskale, pasi vetëm me të ju do merrni 2 herë më shumë të ardhura. Nga taksa e automjetit ju merrnit 32 milion dollarë, ndërsa tani vetëm nga ajo e qarkullimit do merrni 72 mln. Shqiptarët do paguajnë 90 lekë shtetit për çdo litër naftë, pra, më shumë se gjysmën e çmimit të naftës do ta paguajnë si taksë tek shteti”, tha deputetja socialiste.

Por, sipas ministrit Bode është bërë vetëm një rimodelim i taksave të makinave, për të thjeshtuar proçedurat. “Vendosëm të hiqnim 3 taksa, i zëvendësuam me dy. Ndryshimet u bënë për të thjeshtuar procedurat. Sqaroj se me këto taksa synojmë uljen e barrës fiskale. Taksat e makinave do paguhen në varësi të përdorimit të makinave. Cdi qytetar sot paguan gjysmën e taksave që paguante me përpara”, sqaroi ministri, sipas të cilit mjetet bujqësore nuk paguajnë fare taksa. a.q/NOA

KOMENTE