English

Ligjet për integrimin, pakti kombëtar largon palët nga dialogu

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Opozita nuk hoqi dorë as sot, ndërsa mazhoranca nuk lëvizi nga qëndrimi i saj, për të mos iu nënshtuar “tekave” të një kryetari partie. Kësisoj, Kuvendi nuk votoi sot asnjë prej dy ligjeve që, bashkë me 4 të tjera, prej 2 vjetësh presin rradhën në sirtar për tu miratuar. Bëhët fjalë për projektligjin “ Për Gjykatën Administrative” si edhe për Kodin e Proçedurës Penale të Shqipërisë. Gjithçka ndodh 12 ditë, përpara së BE të japë vlerësimin e saj nëse Shqipëria e meriton ose jo statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

PS, opozitë pa kompromis.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi ka paraqitur edhe njëherë të 10 pikat e propozuara nga opozita, ndërsa ka shtuar se PS-ja është e gatshme të nisë dialogun, duke filluar që nga komunikimi parlamentar “Ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standardet e BE, por për të gjitha çështjet që lidhen me këtë status, duhen 3/5 e votave. Nuk është detyrim i opozitës t’i votojë ligjet, pse thotë Berisha. Por është detyrim i Berishës t’i sigurojë këto vota”, deklaroi Ruçi. Sipas tij, grupi i PS kërkon miratimin në Kuvend të paktit “Për Shqipërinë si gjithë Europa”. “Ne jemi gati të bëjmë gjithçka për statusin e vendit kandidat, por, garancia më e mirë për të ardhmen e vendit është miratimi i një pakti, i cili nis nga përmirësimi i komunikimit parlamentar apo reforma e plotë zgjedhore”. Ruçi gjithashtu theksoi se integrimi i parlamentit shqiptar si institucion dhe procedurë në kornizën e integrimit evropian të Shqipërisë është A-ja pa të cilën duhet harruar përgjigja pozitive e BE-së edhe sikur të arnohen gjitha kodet e depozituara nga qeveria në përpjekje për ti hedhur hi syve Brukselit. “Harrojeni ta fajësoni opozitën për bllokimin kur ju e mbani peng parlamentin. Askush nuk mund të bëjë pjesën tonë në reformën zgjedhore ndaj ishim të parët që caktuam të dërguarit tanë për këtë proces. Paturpësisht thuhet se ska marrë përgjigje letra e kreut të grupit të mazhorancës për këtë reformë. Përfaqësuesit tanë po vazhdojnë dialogun për një marrëveshje parimesh. Këto janë detyrimet e opozitës e për këto opozita është shprehur publikisht”, u shpreh Ruçi. Ai u ka kërkuar deputetëve të mazhorancës që në një seancë të posaçme parlamentare ta diskutojnë dhe ta miratojnë paktin e opozitës që sipas tij do t`i jepte një shans të fundit marrjes së një sinjali pozitiv për marrjen e statusit kandidat. “Ta kthejmë krizën në një shans ku opozita do të marrë përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit kandidat të vitit të kaluar ndërsa qeveria përgjegjësinë e mosmarrjes së statusit këtij viti që është akoma më e rëndë”, këmbënguli kreu i deputetëve socialistë.

PD: Pakti i Ramës, si pseudoakuza e kutive

Pak minuta më pas, kryetari grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka deklaruar se paketa e propozuar nga PS-ja është si pseudo-kauza e kutisë që u përdor nga kreu i saj për dy vjet për të mos ardhur në parlament. “Na thuhet se kemi përpara 10 pika e pas plotësimit të tyre vjen begatia për shqiptarët. Nuk dua tu përgjigjem atyre pikë për pikë se nuk e kemi detyrim ti përgjigjemi editorialeve të Ramës. I ashtuquajturi pakt i Ramës është si pseudokauza e kutisë që u përdor dy vjet për të mos ardhur në parlament. Javën e kaluar jo rastësisht grupi i PS u kthye tek marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin”, tha Patozi. Sipas tij opozita kërkon të shpërblehet me copa pushteti duke lënë mënjanë përgjegjësinë për vonesat në integrim. “Kuvendi është i detyruar të shqyrtojë çdo nismë që vjen sipas ligjit në fuqi. PS ka dorëzuar deri tani vetëm kërkesë për ndryshim në rregullore. Integrimi nuk është i mazhorancës e me të nuk mund të bëhen pazare”, theksoi Patozi. “ Erdhëm pa shpresë të gjenim ndonjë shkëndijë të kursit të ri të Edi Ramës. Nuk besoj se ka më shqiptar që të shpresojë në përrallën e ndryshimit të sjelljes së PS-së pas shpalljes së 10 pikave të Edi Ramës. Sot kryejmë një formalitet e konsumojmë një mundësi për të zbatuar rekomandimet e KE-së. Rama e tha vet me gojë një javë më parë se nuk do të ketë asnjë hap përpara të PS-së për reformat”, deklaroi kreu i grupit kuvendor demokrat. Kësisoj edhe këtë javë, Kuvendi nuk ka votuar ligjet me rëndësi, të cilat janë pjesë e kritereve që BE i kërkon Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane. a.q/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi17:57 - 29 Shtator 2011
    S'behet stan me lepuj. populli.