E enjte, 29 shtator 2011, NOA – Kreu i OSBE-së, Audronius Azubalis, njëherësh ministër i Jashtëm i Lituanisë shprehu keqardhje për dhunën në veri të Kosovës duke bërë thirrje për qetësi. “I shoh me keqardhje incidentet e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës. E përsëris thirrjen për përmbajtje nga dhuna dhe u bashkohem thirrjeve nga liderët politikë dhe ata të komunitetit për qetësi”, tha zoti Azubalis, i cituar nga RTK. Më tej ai i ka ftuar palët të vijojnë dialogun duke e cilësuar si mënyrën e vetme për të ecur përpara. “Bisedimet Beograd – Prishtinë janë një forum ku mund të ndërmerren hapa konkretë për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha kryesuesi Azubalis. Azubalis nënvizoi në deklaratën e tij se “OSBE-ja është e përkushtuar për mbështetjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë e rendit në veriun e Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për së afërti me partnerët ndërkombëtarë”. RTK/mit/NOA