Shkodër, 29 shtator 2011, NOA - Shoqata e pakicës malazeze në Shqipëri, “Alba-Montenegro” ka kundërshtuar qëndrimin e organizatave të tjera minoritare në vend kundër regjistrimit. Drejtues të kësaj shoqate, me anë të një deklarate shprehen se, procesi i regjistrimit, ose siç njihet ndryshe me emrin census, është një standard ndërkombëtar. Burhan Çuliq, kreu i shoqatës , “Alba-Montenegro” shprehet se deklaratat e bëra nga katër shoqata minoritare kundër procesit të regjistrimit nuk janë reale. “U njohëm me prononcimin e katër shoqatave të pakicave, që mbështesin braktisjen e censusit. Shoqata jonë nuk ka asnjë prononcim për këtë ultimatum", tha në emër kryesisë së Shoqatës "Alba-Montenegro", Burhan Çuliq. Culiq ka kundërshtuar dhe qëndrimin e shoqatës "Moraça-Rozafa", e cila ka kundërshtuar censusin në emër të pakicës malazeze. “Jemi shumë të indinjuar nga qëndrimi i kësaj shoqate, e cila në vetvete ka për qëllim frenimin e deklarimit vullnetar, që do të bëhet për këtë qëllim. Po kështu, jemi të indinjuar nga riciklimi që i bëhet shoqatës "Moraça-Rozafa", që nuk ka fare lidhje me pakicat malazeze, mbasi Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtete të ndryshme", thuhet në deklaratën e shoqatës, “Alba-Montenegro”. a.k/NOA