English

Përpjekjet e fundit për regjistrimin e popullsisë

Shkup, 29 shtator 2011, NOA - Partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI po vijojnë kontaktet për të zhbllokuar situatën lidhur me problemet për regjistrimin e popullsisë. E ndërsa regjistrimi i popullsisë pritet të nisë të shtunën më 1 tetor, ende vijojnë mosmarrëveshjet brenda Komisionit Shtetëror të Regjistrimit mbi çështjen e regjistrimit të qytetarëve që jetojnë dhe punojnë përkohësisht jashtë vendit. Përfaqësuesit shqiptarë të KSHR-së kërkojnë që sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë të mundësohet regjistrimi i qytetarëve që qëndrojnë dhe punojnë përkohësisht jashtë vendit, ndërsa pala maqedonase e udhëhequr nga kryetarja e këtij komisioni, Vesna Janevska refuzon regjistrimin e të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pavarësisht se ata kanë qëndruar në Maqedoni brenda këtyre 12 muajve të fundit. KSHR ka kërkuar që këto probleme të tejkalohen nga ana e partnerëve të koalicionit, pasi Ligji është përgatitur nga Qeveria. Jozyrtarisht agjencia INA ka mësuar se përfaqësues të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe BDI kanë diskutuar deri vonë për këto çështje, për të tejkaluar mosmarrëveshjet dhe për të arritur një kompromis lidhur me realizimin e këtij procesi që fillon më 1 tetor. Edhe BDI mban qëndrimin që regjistrimi duhet të përfshijë të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, por që një herë apo më shumë herë në vit qëndrojnë në vendlindje. Në VMRO-DPMNE jozyrtarisht kanë deklaruar se gjithçka do të ketë një kompromis dhe se regjistrimi do të zhvillohet sipas Ligjit dhe rregullave europiane. KSHR ka publikuar listën e 16.000 kandidatëve të zgjedhur për të kryer operacionin e regjistrimit, prej të cilëve rreth 7 mijë janë maqedonas, mbi 3600 shqiptarë dhe pjesa tjetër e përbërë nga komunitetet pakicë. Regjistrimi do të monitorohet nga EUROSTAT përmes përfaqësuesve që kanë mbërritur në Maqedoni. INA/NOA

KOMENTE