Tiranë, 29 shtator 2011, NOA - Drejtori i Qendrës Spitalore Universitarë “Nënë Tereza”, Saimir Ivziku ka pritur në një vizitë zyrtare Ambasadoren e re të Australisë Jenny Polyxeni Bloomfield, rezidente në Athinë. Gjatë vizitës drejtori i QSUT-së ka bërë një prezantim të punës dhe funksionimit të këtij institucioni. Ndërkohë që ambasadorja e australisë ka pohuar se ajo do të kthehet sërish në Tiranë, në dhjetor të këtij viti me një grup mjekësh urologë dhe kardio-kirurgë për të kryer një sërë ndërhyrjesh të vështira. “Ne kemi dy eksperienca me vendin tuja, pikërisht me QSUT ku mjekët tanë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në vitin 1994 dhe janë rikthyer sërish në 2011 për operacionin e një vajze të re. Këto mjekë do të rikthehen edhe gjatë muajit dhjetor për të tjera intervente” ka pohuar Ambasadorja e Australisë, Jenny Polyxeni Bloomfield. Gjatë bisedës drejtori Ivziku ka njohur ambasadoren për vënien në punë të telemjekësisë vetëm gjatë ditëve të fundit, dhe u ra dakord që të dy shtetet të kenë marrëdhënie bashkëpunimi për konsulta online. Po kështu, u ra dakord edhe për binjakëzimin e QSUT-së me një prej spitaleve terciare në Australi, si dhe bashkëpunim për edukimin profesional të mjekëve si dhe ndihma në aparatura dhe medikamente. a.q/NOA