English

Rëndohet shëndeti i grevistëve, nëntë minatorë në ditën e 11-të

Bulqizë, 29 shtator 2011, NOA – Nëntë minatorë të Bulqizës vijojnë në kushte të rënduara shëndetësore grevën e dytë të urisë në lokalin me qera pranë mjediseve të kompanisë ACR në Bulqizë. Edhe pas daljes nga greva të minatorit Sali Alliu dy ditë më parë për shkak të përkeqësimit të shëndetit, nëntë minatorët e mbetur në mjediset e grevës nuk pranojnë të marrin mjekim për simptomat që paraqesin. Protesta ekstreme e minatorëve të ngujuar përkrahet nga qindra kolegët e tyre të minierës dhe familjarët që kanë zaptuar tërë sheshin para vendit të ngujimit duke kërkuar plotësimin e kërkesave. Edhe pse dukej se situata do të merrte fund me ardhjen e pronarëve të ACR-së në Tiranë, ajo tashmë i ngjan një drame pa fund që nuk dihet ç’fund do të ketë. Ndërsa gjendja shëndetësore e grevistëve është e rënduar për ta nuk po pyet më askush veç bashkëvuajtësve të tyre dhe familjarëve që kanë deklaruar se do ta përshkallëzojnë rishtas këtë protestë ekstreme me bllokimin e rrugës kryesore. Minatorët e kromit i kërkojnë ACR-së t’u plotësojë të gjitha kërkesat, jo vetëm ato ekonomike dhe të investimeve në minierë, por edhe atë për largimin e drejtorit aktual të minierës, Mehdad Zogu. mit/NOA

KOMENTE