English

Sot në Tiranë nis Konferenca e Ipeshkëve katolikë të Europës

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA – Sot në kryeqytet mblidhen krerët e Konferencave Ipeshkvnore katolike të Europës. Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane që do të mbahet për tri ditë radhazi në Tiranë organizohet nën kujdesin e Arqipeshkvit metropolit të Tiranës dhe Durrësit njëherësh Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita. Sipas Kishës Katolike shqiptare ky takim përbën ngjarjen më të rëndësishme pas vizitës historike të të Lumit Papa Gjon Pali II në prill të vitin 1993. Në Tiranë kanë mbërritur kardinalë dhe ipeshkvë nga e gjithë Europa. Në vitin që shënon 40-vjetorin e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (1971-2011) (CCEE ), përvjetor ky që do të kremtohet në një mbledhje të veçantë në Romë më 22 nëntor të këtij viti, Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, anëtarë të këtij organizmi (CCEE) do të zgjedhin Presidencën e re të CCEE për pesëvjeçarin 2011-2016 (nga plenarja në plenare). Në detyrën e Presidentit dhe të dy Zv-Presidentëve kanë të drejtë zgjedhjeje të gjithë Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore aktualisht në detyrë. Për të përcaktuar kontributin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës për Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve mbi temën e Ungjillëzimit të ri, thirrur nga Papa Benedikti i XVI për tetorin e 2012 në Vatikan, Këshilli i Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) u ka dërguar një pyetësor Konferencave ipeshkvnore me qëllimin për të mbledhur e për të nxjerrë në dritë ide, situata e propozime mbi temën e Ungjillëzimit të ri. Në Tiranë, reflektimi mbi këtë temë i është besuar Jean Luc Moens, koordinator i përvojës së misioneve qytetare të kryeqyteteve evropiane, që do të ketë për detyrë të sintetizojë përgjigjet që kanë arritur këtyre javëve në Këshillin e Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), dhe imzot Salvatore Fisichellës, Presidentit të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri. Gjatë punimeve, ipeshkvijve do t'u bëhen të ditura edhe rezultatet e takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm që është zhvilluar në qershorin e kaluar në Vilnius (Lituani) pikërisht mbi këtë temë. Takimi i Tiranës do të përbëjë rastin për një punë të përbashkët mbi këtë temë për të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të Evropës para Sinodit të Ipeshkvijve. Gjithashtu do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit Oriental. Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012). Një delegacion i Konferencës Ipeshkvnore evropiane do të takohet me Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha. mit/NOA

KOMENTE