Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kreu i shtetit, Bamir Topi ka vlerësuar pavarësinë e sistemin gjyqësor si garanci për zbatimin korrekt e të drejtë të ligjeve. Në një takim me kryetaren e Gjykatës së Lartë të Austrisë, Irmgard Gris, Topi theksoi rëndësinë që mbart sot vazhdimi i reformave legjislative e institucionale të të gjithë sistemit gjyqësor për t`u sinkronizuar me standardet më të mira evropiane. Sipas Topit, ekziston kuadri ligjor cilësor, bashkëkohor e në përputhje me standardet evropiane, por për të garantuar një drejtësi efektive nevojitet zbatimi i drejtë i këtyre ligjeve nga ana e një sistemi gjyqësor profesional, të paanshëm e të pavarur nga çdo lloj influence politike. Nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë të Austrisë, Irmgard Gris duke siguruar në mbështetjen e mëtejshme të institucioneve të shtetit austriak, kryesisht për të gjithë sistemin gjyqësor, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes organizatave dhe institucioneve të ndryshme të drejtësisë në drejtim të marrjes së përvojës së vyer dhe rritjes së efektshmërisë, cilësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve. “Një sistem gjyqësor vërtet i pavarur nga ndikimet politike ose ekonomike nuk ka vetëm miq. Sistemi gjyqësor luan një rol të rëndësishëm në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit dhe përsosja e vazhdueshme e tij do të rriste edhe prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”- theksoi ajo. Gjatë takimit u shpreh mirënjohjen për ndihmesën që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë viteve të zhvillimit të demokracisë, si tregues i qartë i marrëdhënieve mjaft të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona mike. Topi vuri në dukje rëndësinë e përfitimit të përvojave nga vendet e zhvilluara evropiane e me sisteme gjyqësore më të konsoliduara, e në këtë drejtim, vlerësoi maksimalisht Misionin EURALIUS dhe punën e tij në kuadër të përmbushjes së standardeve të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian. a.q/NOA