Nga Fatos Lubonja Ndërkohë që sapo i kisha nisur Panoramës shkrimin mbi krizën greke dhe Shqipërinë, ku mes të tjerash vihen në dukje edhe ngjashmëritë e modeleve të qeverisjes, lexova disa citime nga një editorial i Steve Forbes, i cili na thotë se Shqipëria nuk është Greqia, madje se receta bazë për Greqinë duhet të jetë shembulli shqiptar: “Shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore, si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri”. Me fjalë të tjera, dikush, duke iu referuar ekonomistit të njohur, do të më thoshte se kam gabuar rëndë pasi kriza e shtetit grek vjen nga të qenit të tij shumë social – i dhjamosur -, kurse ne jemi një shtet shumë liberal – muskuloz, i lehtë i zhdërvjellë, me taksa të sheshta, me privatizime; e se kjo na paska shpëtuar nga kriza. Gjykoj se ia vlen të thellohemi në atë që u propozon Forbes grekëve si model shqiptar jo vetëm për ta ballafaquar edhe me çfarë sugjerojnë të tjerë për të dalë nga kriza, por edhe për të njohur më mirë si krizën, edhe veten tonë në raport me të. Gjithsesi, pikë së pari, pa pretenduar të jem ekonomist, por thjesht njeri që kërkon të arsyetojë me kokën e tij për gjërat që dëgjon e sheh, më vjen të them se është turp për një ekonomist, keynesian apo fridmanian qoftë, të marrë për shembull Shqipërinë, pasi realiteti ekonomik shqiptar është tejet i veçantë për ta marrë si shembull teorik, kurse, praktikisht, do të thosha se sikur grekët të ishin në gjendjen e shqiptarëve, tashmë Athina do të ishte djegur e gjitha së bashku me shtëpinë e Papandreut. Le të kujtoj, për shembull, vetëm faktin se sot, si rezultat i krizës, spitalet greke nuk janë në gjendje të paguajnë kompaninë farmaceutike “Roshe”, që e furnizon me ilaçe për kancerin, kurse në Shqipëri ka “shekuj” që spitalet i dërgojnë familjarët e të sëmurëve të blejnë edhe ilaçet më elementare me lekët e tyre nëpër farmaci private. Thënë kjo, le të ndalemi pak te receta e Forbesit. Kemi të bëjmë me një formulë neoliberiste shumë të njohur dhe tejet të diskutueshme në kontekstin e krizës që po jetojmë. Kriza greke e administratës dhe e sektorit publik të fryrë është vetëm njëri nga aspektet e krizës botërore që Greqia po e jeton në mënyrën më dramatike. Tashmë dihet nga të gjithë se kriza botërore rrënjët i ka në SHBA, bash te kriza e modelit të kapitalizmit që është aplikuar sipas formulave të Forbesit, të privatizimeve e të shtetit të dobët, që jo vetëm ka shkaktuar polarizimin e frikshëm dhe pasigurinë e jetës me probleme shpërthyese sociale, por edhe një kapitalizëm spekulativ në shkallë globale, që i ka bërë shtetet, atje ku janë të dobët veçanërisht, instrumente të oligarkive e të tregut. Shembulli i Islandës, që falimentoi para dy vjetësh, është shembulli më elokuent i kësaj. Ajo falimentoi mu pse qeveria e djathtë bëri privatizime të tri bankave kryesore nacionale të vendit, të cilat, të dala jashtë kontrollit të shtetit edhe me komplicitetin e politikanëve, u lëshuan në spekulime e falimentuan duke marrë me vete edhe tërë kursimet e islandezëve. E njëjta histori ka ndodhur pak a shumë edhe në SHBA, ku kriza e Lehmans Brodhers, e lidhur me kreditë e shtëpive për shembull, ishte një krizë e shkaktuar nga privatë mashtrues e spekulantë, të pakontrolluar si e sa duhet nga shteti. Pra kriza amerikane nuk erdhi ngase sektori publik ishte i dhjamosur, por nga dështimi i privatit; kurse si dalje nga situata, Obama ka ndërmarrë pompimin e parasë publike për të shpëtuar bankat e industrinë e makinave, për çka iu desh të rrisë tavanin e borxhit të lejuar në SHBA. Kurse islandezët – vlen të përmendet rasti i tyre – bënë një referendum lidhur me atë nëse duheshin shpëtuar apo jo bankat e tyre private. 92% thanë “jo!” e sot, Kryeministri që ka lejuar e ndihmuar privatizimin, rrezikon burgun, kurse islandezët po ristrukturojnë ekonominë e tyre për ta kthyer nga spekulative financiare në prodhuese. Kriza greke, në fakt, ka dy aspekte kryesore jo të palidhur me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre ka të bëjë me administratën e me shërbimet sociale të mbidhjamosura. Tjetri, ky hyjnë edhe trukimet e të dhënave, është i lidhur me shpenzimet e shumta në investime publike si autostrada, për Olimpiadën, në armatime etj., që janë diktuar nga interesa të mëdha privatësh në nivel kombëtar e ndërkombëtar, që janë shoqëruar me korrupsion (mjaft të kujtojmë skandalin e Siemens-it, që u paguante ryshfete politikanëve grekë) nepotizëm, evazion fiskal, krijime monopolesh e të tjera si këto, e që nuk kanë ndihmuar një ekonomi vërtet prodhuese, kompetitive e të qëndrueshme. Thuajse të gjithë pajtohen me atë se administrata nuk duhet të jetë e fryrë dhe se taksa, veçanërisht e njerëzve të punës, duhet të jetë e ulët, por, kur vjen puna për privatizimet, shërbimet sociale dhe taksat e pasanikëve, opinionet ndahen. Së pari duhet thënë se privatizimi i sektorëve të tillë si ai i shëndetësisë apo arsimit, nuk gjen assesi konsensus pasi ai vë në rrezik disa të drejta themelore të njeriut. Arsimi publik dhe shëndetësia publike janë dy nga arritjet më të mëdha të shoqërive europiano-perëndimore dhe ato po luftojnë me mish e me shpirt që t’i mbrojnë ato, ndërkohë që reforma e shëndetësisë në SHBA është një ëndërr europiane e parealizuar ende. Kurse përsa i përket privatizimit të aseteve të tjera shtetërore, edhe këtu çështja nuk është aq e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për privatizime të pasurive publike. Grekëve p.sh. u është kërkuar deri të shesin edhe Panteonin. Italia ka një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme. A mund të pranohet që ajo të shesë Coloseun apo muzetë e saj të famshëm për të dalë nga kriza? Me një referendum të para disa kohëve, italianët nuk pranuan të privatizohet shpërndarja e ujit. Sot ka shumë ekonomistë që mbrojnë tezën se kjo që po ndodh është një sulm në emër të interesave të multinacionalëve të kësaj bote për ta zhveshur edhe më shoqërinë nga prona publike e nga arritjet e atij që quhet shteti social. Kryesisht këta ekonomistë janë të majtë. Por s’mund të thuash assesi se bota perëndimore ka rënë sot në krizë për shkak politikash të majta. Ajo ka më se njëzet vjet që bën politika të djathta, me privatizime e më the të thashë, dhe, sikurse e thashë më lart, ka rënë në krizë për shkak politikash neoloberiste të djathta në kontekstin e globalizimit. Parimisht, privatizimi dhe taksa e sheshtë rekomandohen nga neoliberalët si instrumente për lançimin e ekonomisë nëpërmjet energjisë së privatëve, futjes së parasë së të pasurve në qarkullim, si dhe faktit se kjo i bën njerëzit më të lirë në kuptimin e varësisë nga shteti. Po ashtu ata teorizojnë se atje ku ka të pasur, edhe të varfrit jetojnë më mirë. Por, sikurse e tregon edhe kjo krizë, problemet që kanë krijuar privatët e pakontrolluar sot nga shteti janë bërë më shpërthyese se kurrë. Të gjitha lëvizjet e të indinjuarve sot në Europën Perëndimore janë kundër tyre dhe kastave politike të vëna në shërbim të tyre. Sepse, tek e fundit, një çështje ngrihet edhe në kontekstin e kësaj krize: mirë se me privatizime të pasurive publike e me shkurtime të shërbimeve sociale edhe mund të dalim nga kriza (ndonëse përvoja e New Deal tregon të kundërtën), por me çfarë shoqërie do të dalim prej saj? Nëse dalim duke prodhuar monstra, atëherë këta shpejt bëhen më shumë problem sesa zgjidhje. Modeli që rekomandon Forbes është të dalim duke prodhuar monstra. Dhe Shqipëria që ai rekomandon, sipas mendimit tim, është ilustrimi më i mirë i krijimit të monstrave, madje ne jemi pamja më groteske e tyre ku grekët mund të shohin të ardhmen e tyre si në pasqyrë, të tmerrohen e t’i thonë Forbesit: “Jo! S’është ky modeli”. Le t’i kthehemi atëherë edhe një herë modelit tonë. Sipas meje, modeli shqiptar sot e bën Shqipërinë të kërcënuar nga dy kriza: ajo e qeverive grek, edhe ajo e bankave private islandeze, që nuk e përjashtojnë aspak njëra-tjetrën, përkundrazi, mund të jenë fare mirë komplementare. Kur e kam krahasuar modelin tonë me Greqinë, kam pasur kryesisht parasysh fenomenin e investimeve korruptive dhe jo në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, ku plekset klientelizmi, korrupsioni, nepotizmi, evazioni, monopoli. Kam pasur gjithashtu parasysh se qeveria jonë, ashtu si ajo greke, edhe për kulturë të trashëguar, nuk është kredibël në të dhënat e veta, bën pra trukime që nesër mund të jenë dramatike (me sa më kujtohet një lloj paralajmërimi “të butë” e ka bërë edhe guvernatori Fullani për këtë). Por, nga ana tjetër, kur kam shkruar për kredi të këqija të privatëve të ndryshëm që sipas shumë zërave janë një minë me sahat, kam pasur parasysh elementin islandez të krizës, d.m.th. krizën e privatit. Dhe këto mund të jenë fare mirë dy faqe të së njëjtës medalje. “Medalja” që i bashkon është shteti i korruptuar. D.m.th., kur shteti kthehet në instrument në duart e një pakice të pasurish që shumicën e sheh thjesht si mjet pasurimi, ai më një anë do të shpërdorojë paranë publike me këta privatë nëpërmjet tenderësh korruptivë e më the të thashë (siç ka ndodhur në Greqi e ndodh rëndom te ne), kurse, më anë tjetër, do t’u nënshtrohet në politikat e tij këtyre oligarkëve duke privatizuar sipas interesave të tyre pronat publike, duke vendosur taksën e sheshtë dhe jo taksën progresive, duke u lejuar evazionin fiskal, duke ua mbuluar kreditë e këqija etj. (siç ka ndodhur në Islandë e ndodh përsëri rëndom te ne). Pra, nesër mund të vijë një ditë kur bankat tona të shpallin se nuk na i japin dot kursimet, pasi ua kanë marrë kreditorë që s’ua kthejnë dot, pasi kanë falimentuar, dhe kjo, në kushtet e një shteti të mbytur në borxhe, do të çonte në një falimentim të dyfishtë. Këtu le të mos harrojmë edhe një falimentim të tretë që po ndodh në Shqipëri për shkak të këtyre politikave: atë të atyre që ambientalisti Xhamal Mato i quan “banka mjedisore” (toka, uji, ajri, pyjet, kafshët…), që tek ne janë duke i mbyllur dyert tashmë. Dikush do të thotë se kemi Europën që na ndihmon, ja shikoni se si Gjermania, me gjithë mëdyshjet, premtoi t’i paguajë Papandreut rrogat e administratës për muajt e ardhshëm, duke blerë borxhe të tjera greke që ndoshta s’vlejnë një grosh. Por, sipas shumë specialistëve, ajo që po bën Gjermania është një default/falimentim i kontrolluar i Greqisë, sepse përndryshe, falimentimi i menjëhershëm do të ishte katastrofik për të gjithë. Plus që, gjithsesi, sikurse e thosha edhe në shkrimin tjetër, Shqipëria s’ka peshën dhe rëndësinë e Greqisë për Europën dhe, kur Greqia është në këtë gjendje, kjo për ne do të thotë se integrimi europian po na shtyhet për në kalendat greke. Në fakt, ka një “shpëtim” nga e gjitha kjo, e ku kam frikë se fatkeqësisht mbështetet optimizmi i politikanëve tanë, që e dinë mirë se ato që thotë Forbesi janë përralla. Ky e ka emrin “krimi i organizuar”. Pra, me falimentimin e privatëve të ndershëm dhe të shtetit, paraja e mbijetesës mund të vijë nga krimi i organizuar. Ky është një alarm që është ngritur në Perëndim, në Itali shumë fort madje. Në Shqipëri, ky është një gjysmërealitet, që nesër, në këto kushte, mund të bëhet realitet i plotë. Nuk po i hyj përshkrimit të monstrës që do të na qeveriste në këtë rast, pasi kam parasysh se shumë shqiptarë kanë mbledhur nga përvoja e këtyre njëzet vjetëve copëza të mjaftueshme imazhesh/tragjedish për ta ndërtuar fytyrën e plotë të monstrës. Madje kam frikë se mozaikut i mungojnë edhe pak copëza për t’u plotësuar. Ky është, sipas meje, realiteti i krizës shqiptare. Është një realitet që bën thirrje për një ndryshim të shpejtë dhe rrënjësor, e që duhet bazuar mbi disa parime që s’është nevoja të jesh ekonomist për t’i njohur e vlerësuar si jetike. Së pari, parimi se pasuria e një vendi rritet kur shpërndahet, jo kur mbetet në duar të pakta, aq më pak kriminale. Së dyti, se emigrantët që përmend Kryeministri e jo vetëm, por çdo qytetar shqiptar, ashtu si aksionerët e mirë të një shoqërie, do t’i investojnë kapitalet e tyre në një ndërmarrje (ku kryesori është kapitali njerëzor, jeta e tyre dhe e fëmijëve të tyre), vetëm nëse shohin: a) se, u ofrohet një projekt bindës i së ardhmes; b) se ky projekt është në duart e një menaxheri të besueshëm. Të dyja këto i mungojnë sot Shqipërisë dhe prandaj është detyrë imediate t’i krijojmë nëse nuk duam të fundosemi. Gazeta "Panorama"