Shkup, 30 shtator, NOA - Maqedonia ka të drejtë natyrore që ta përdorë emrin e saj kushtetues me të cilin është bërë shtet i pavarur. Qëndrimi grek për çështjen e emrit për Turqinë është i pakuptimtë dhe jo i drejtë, ka theksuar kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski. “Ne e dimë se ju nuk mund të hiqni dorë nga e drejta për emrin tuaj, që është e drejtë kushtetuese dhe shumë e natyrshme. Qëndrimin e Greqisë për ndërrimin e emrit, e konsiderojmë si të pakuptimtë dhe të padrejtë”, është shprehur kryeministri Erdogan. Turqia në mënyrë të përforcuar do të vazhdojë ta përkrahë Maqedoninë në procesin e integrimit euroatlantik. Gjithnjë sipas kryeministrit turk, Maqedonia është vend i cili po përparon shumë shpejt, stabil dhe prosperues andaj ajo padyshim se një ditë do të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Në planin ekonomik dhe tregtar, Maqedonia dhe Turqia synojnë të arrijnë një vlerë të këmbimit tregtar deri në 400 milionë dollarë, me synimin që ta çojnë këtë këmbim në vlerën e 1 miliard dollarëve. Maqedonia dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim strategjik, i cili do të mundësojë zhvillimin e sigurt ekonomik të Maqedonisë ka thënë kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski. NOA/DV