Tiranë, 30 Shtator 2011 NOA/ Ervin Tirana – Në mënyrë të njëanshme dhe pa një paralajmërim, Intesa San Paolo Bank në Shqipëri ka ndërprerë prej ditësh, pa afat funksionimin e kartave të kreditit për shitblerje online me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se rreth 90 për qind e blerjeve online dhe me karta krediti, bëhen me kompani që e kanë bazën e tyre në Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë fakt, përfaqësues të Intesa San Paolo Bank në Tiranë, pohuan sot se prej disa ditësh është ndërprerë shërbimi për çfarëdolloj shitblerjeje dhe transaksioni tjetër me kartat e kreditit me SHBA-të. Sipas tyre, kjo masë është ndërmarrë për shkaqe sigurie dhe problemesh teknike, duke mos dhënë detaje të tjera. Ndërkohë, në degët e Intesa San Paolo Bank në Tiranë dhe rrethe kanë trokitur këto ditë njerëz të cilët janë dëmtuar nga kjo ndërprerje e njëanshme. Vetë Intesa San Paolo Bank nuk mban përgjegjësi për këtë veprim arbitrar, por biznesmenët pohojnë se dëmi ndaj tyre është i madh dhe ç’është më e keqja, i parikuperueshëm. Disa prej tyre shprehen se kanë pagesa mujore në datë fikse të kësteve për bizneset e tyre, të cilat paguhen online, përmes kartës së kreditit, numrat e të cilës janë të regjistruara paraprakisht në kompanitë amerikane dhe bëjnë tërheqje automatike. Por duke u bllokuar shërbimi nga Intesa San Paolo Bank në Shqipëri, bizneset dhe individët e shumtë që kanë këtë mënyrë pagese, dëmtohen pasi kompania që ofron shërbimin, ka të drejtë ta ndërpresë atë menjëherë nëse nuk bëhet tërheqje automatike e shumës së kontraktuar për pagesë me kartë krediti. Përfaqësues të Intesa San Paolo Bank në Tiranë, thanë sot se nuk dinë ende të thonë se kur do të rikthehet shërbimi dhe pyetjes se kush zhdëmton bizneset e dëmtuara në këto raste, pyetje që në SHBA, Evropë ku ka qendrën Intesa San Paolo Bank dhe gjetkë, përkthehen në zbatim penalitetesh financiare dhe ligjore - i përgjigjen me ngritje supesh dhe heshtje. e.t/NOA