E premte, 30 shtator 2011, NOA- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë akuzoi misionin e EULEX, si përgjegjësin kryesor për mbrojtjen e dëshmitarëve. KLMDNJ thotë se, sipas autoriteteve gjermane Agim Zogaj, dëshmitari i mbrojtur (Dëshmitari X) në rastin “Kleçka” ka bërë vetëvrasje duke e varur veten në një park në qytetin e Duisburg në Gjermani. Lajmin e ka bërë publik, pas autopsisë zëdhënësi i policisë së qytetit të Duinsburgut, Ramon van der Mat. KMDLNj ka shprehur shqetësimin duke thënë se EULEX, ka qenë përgjegjës për jetën e Agim Zogaj i cili ka pasur statusin e dëshmitarit të mbrojtur në një proces që fillon në fund të muajit tetor. KMDLNj shpreh dyshime nëse vërtet bëhet fjalë për vetëvrasje aq më parë që ky dëshmitar, ndonëse i mbrojtur ka mundur lirisht të lëvizë, pa përcjellje dhe pa mbikëqyrje. Pas kësaj “vetëvrasjeje” më nuk mund të flitet për një proces të drejtë dhe të paanshëm kurse administrimi i provave do të vihet nën dyshim. KMLDNJ thekson se, me një veprim të papërgjegjshëm EULEX po e paragjykon procesin gjyqësor duke i dëmtuar të gjitha palët në proces. Ky rast tragjik është një sinjal dhe vërejtje për autoritetet vendore se duhet, sa më shpejt që të jetë e mundur të funksionalizohet, Burgu për dëshmitarët e mbrojtur në Dubravë. “Ky rast gjithashtu është një lajm i keq dhe dekurajim për dëshmitarët me status të veçantë në proceset eventuale në aferat e mëdha korruptive, krimit të organizuar dhe krimeve të luftës. EULEX duhet të jap përgjegjësi për humbjen e jetës së Agim Zogajt, dëshmitarit të mbrojtur, dëshmitari X në procesin në “rastin Kleçka” për krime lufte. Nëse dëshmitari X ka qenë përcaktues për zbardhjen e krimeve të supozuara në “rastin Kleçka” atëherë KMDLNj konstaton se gjykimi është dëmtuar pariparueshëm. Vetë heshtja e EULEX-it është e dëmshme dhe EULEX duhet të sqarojë pse dëshmitari i mbrojtur në fakt nuk ka pasur asnjë mbrojtje. Me këtë veprim, EULEX po bënë përpjekje të distancohet nga një dështim për të cilin vet është përgjegjës!”, përfundon qëndrimi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. a.y/NOA